Yll Limani po shënon një tjetër sukses të madh në skenën muzikore shqiptare, duke konfirmuar interesimin e jashtëzakonshëm të publikut për koncertet e tij në Tiranë.
Artisti ka bërë të ditur se janë shitur 30 mijë bileta për dy netët e koncertit të tij, të planifikuara më 12 dhe 13 qershor, duke i shpallur zyrtarisht të dyja datat “sold out”.
Koncertet do të mbahen në Pistën e Atletikës te Liqeni i Tiranës, një hapësirë që pritet të mbledhë mijëra fansa për dy mbrëmje radhazi.
Shifra prej 30 mijë biletash të shitura e bën këtë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit në kryeqytet. Interesimi ka qenë aq i lartë, sa numri i biletave të shitura tejkalon edhe kapacitetin e stadiumit “Air Albania”, duke e kthyer koncertin në një moment të rëndësishëm për karrierën e artistit.
Suksesi ka emocionuar edhe vetë Yllin, i cili ndau një mesazh falënderimi për fansat në rrjetet sociale.
“Ylli i vogël o tu kcy nëpër dhomë, e tu kajt prej gëzimit. TIRANAAAA, faleminderit shumë! Ju dua pafund, mezi po pres me ju pa!”, shkroi artisti.
Me dy data të shitura plotësisht, qershori pritet të jetë një festë e madhe për fansat e Yll Limanit në Tiranë dhe një tjetër dëshmi e popullaritetit të tij në muzikën shqiptare. /GazetaExpress/