Një foto mes dy deputetëve të legjislaturës së fundit, Besnik Tahiri e Duda Balje, është vetëm një nga rastet e shumta ku tentohet të manipulohet audienca përmes shtrembërimit të realitetit.
Sipas njohësve të fushës, raste të tilla shpeshtohen në periudhën para zgjedhjeve, e njëjtë po ndodh edhe tash në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Numri më i madh i rasteve që ne shohim është përmes përmbajtjeve tekstuale, të cilat zakonisht shoqërohen edhe me fotografi. Monitorimi që ne bëjmë zhvillohet kryesisht online dhe përmbajtjet që paraqiten online janë më së shumti tekstuale, por shpesh ato shoqërohen edhe me manipulime përmes fotografive të ndryshme”, ka thënë Etrit Rexhepi nga “Hibrid.info”.
Në foton e manipuluar e që është bërë virale, teksa fotografohen brenda sallës së Kuvendit, dora e Tahirit shihet mbi fundshpinën e Baljes, gjë që ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale. Por nga kamerat në Kuvend, është vërtetuar se dora e Tahirit gjatë atij momenti ishte në shpinën e Baljes.
Sipas monitoruesve, janë identifikuar po ashtu raste ku një parti paraqitet fituese përmes sondazheve të rreme e të paverifikuara.
Po ashtu dezinformata ku një fotografi paraqitet ndryshe nga realiteti, apo deklarata të keqinterpretuara të zyrtarëve shtetërorë, janë vetëm disa nga shembujt përmes të cilëve tentohet të ndikohet tek audienca.
Monitoruesit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos i marrin si 100% të vërteta përmbajtjet që i lexojnë.
Ata kanë thënë se lexuesit duhet të kenë dyshime apo sy kritik për çdo përmbajtje, si dhe të bëjnë verifikimin e burimit të informacionit. /Koha