Alis Kallaci ka mbyllur rrugëtimin e tij në “Eurovision Song Contest 2026” me një rezultat dinjitoz, duke u renditur në vendin e 13-të me këngën “Nan”.
Performanca e tij emocionale u prit me shumë vëmendje nga publiku shqiptar dhe ai evropian, ndërsa reagimi pas finales ka prekur ndjekësit në rrjetet sociale.
Gjatë gjithë javëve të Eurovisionit, artisti i ri tërhoqi vëmendje me interpretimin e ndjerë dhe prezantimin e tij në skenën ndërkombëtare. Ai mori mbështetje të madhe nga fansat, të cilët e shoqëruan me komente, vota dhe mesazhe inkurajuese gjatë gjithë garës.
Pas përfundimit të finales, Alisi publikoi një mesazh emocionues në “Instagram”, ku falënderoi të gjithë ata që e mbështetën në këtë eksperiencë të rëndësishme për karrierën e tij.
“Kur nisi gjithçka, m’u duk si diçka shumë më e madhe se vetja ime”, shkroi ai, duke pranuar se në fillim kishte ndier pasiguri përballë përgjegjësisë së madhe që sjell përfaqësimi i një vendi në një skenë si Eurovisioni.
Këngëtari theksoi se mbështetja e publikut ishte burimi më i madh i forcës për të. Sipas tij, dashuria, votat, mesazhet dhe fjalët e mira të shqiptarëve i dhanë ndjesinë se nuk ishte vetëm në këtë rrugëtim.
“Mbështetja, dashuria, votat, mesazhet dhe fjalët tuaja kanë pasur një vlerë që nuk di ta shpjegoj me fjalë. Në çdo moment kam ndier që nuk isha vetëm dhe kjo është ndjesia më e bukur që mund të marrë një artist”, shkroi Alisi.

Ai shtoi se kjo eksperiencë do të mbetet gjatë në zemrën e tij, pasi i ka dhënë jo vetëm mësime artistike, por edhe emocione të paharrueshme personale.
“Faleminderit secilit prej jush që besoi tek unë dhe tek muzika ime. Faleminderit që më keni bërë të ndihem krenar në çdo hap të këtij udhëtimi dhe që ma keni kthyer këtë eksperiencë në diçka që do ta mbaj gjithmonë në zemër”, vijoi ai.
Postimi i tij është shpërndarë gjerësisht në rrjet, ku shumë ndjekës e kanë përgëzuar për përfaqësimin e Shqipërisë dhe për mënyrën e sinqertë me të cilën foli pas garës.
Në fund të mesazhit, Alisi theksoi se Eurovisioni ka qenë një rrugëtim që nuk do të kishte të njëjtin kuptim pa mbështetjen e publikut.
“Kam mësuar shumë nga ky rrugëtim, kam përjetuar emocione që nuk harrohen dhe mbi të gjitha kam kuptuar sa e fortë është ndjenja kur ke njerëz që të mbështesin me gjithë zemër. Ky rrugëtim nuk do të kishte të njëjtin kuptim pa ju”, përfundoi ai. /GazetaExpress/