Sa herë që Kina dhe Rusia duket se divergojnë, një e vërtetë e thjeshtë në zemër të marrëdhënies së tyre bëhet e qartë: asnjëra prej vendeve nuk është e detyruar ta ndjekë tjetrën, sepse marrëdhënia e tyre nuk është një aleancë formale, shkruan BBC.
“Nuk është aleancë, por një partneritet strategjik fleksibil”, i thotë BBC-së Bobo Lo, ish-zëvendësshef i misionit në Ambasadën Australiane në Moskë.
Është një partneritet që ka mbijetuar pavarësisht parashikimeve të përsëritura për shembjen e tij.
Ndryshe nga vendet perëndimore, të cilat vendosin sanksione dhe ndëshkojnë mbi bazën e vlerave të ndryshme, përfshirë të drejtat e njeriut, as Rusia dhe as Kina nuk gjykojnë veprimet e njëra-tjetrës.
Akuzat e përsëritura për abuzime të mëdha me të drejtat e njeriut në rajonin Xinjiang të Kinës – të cilat Kina i mohon – dhe vdekja e liderit opozitar rus Alexei Navalny kanë bërë që disa vende perëndimore të jenë më të kujdesshme në angazhimin me këto vende, por Moska dhe Pekini i anashkalojnë këto çështje.