Stërvitje ushtarake në Bjellorusi që përfshijnë edhe armë bërthamore ruse - Gazeta Express
string(73) "stervitje-ushtarake-ne-bjellorusi-qe-perfshijne-edhe-arme-berthamore-ruse"

Lajme

Gazeta Express

19/05/2026 11:54

Stërvitje ushtarake në Bjellorusi që përfshijnë edhe armë bërthamore ruse

Lajme

Gazeta Express

19/05/2026 11:54

Ministria bjelloruse e Mbrojtjes deklaroi se stërvitja synon të testojë gatishmërinë e vendit për të vendosur armë bërthamore. Ukraina e dënoi atë duke thënë se Rusia në fakt po legjitimon përhapjen e këtyre armëve.

Bjellorusia njoftoi se ka nisur një stërvitje ushtarake, në të cilën janë të përfshira edhe armë bërthamore ruse. Ukraina fqinje e dënoi këtë stërvitje me forcë. Në vitin 2023, një vit pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko pranoi të vendoste raketa taktike bërthamore ruse në territorin e Bjellorusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka theksuar se kontrolli mbi përdorimin e këtyre raketave mbetet në duart e Moskës.

Në vitin 2024 Kremlini publikoi një doktrinë të rishikuar bërthamore, sipas së cilës Bjellorusia përfshihet nën “ombrellën bërthamore” ruse.

Bjellorusia ka kufi të përbashkët me Rusinë, Ukrainën dhe tri vende anëtare të aleancës NATO.

Bjellorusia për stërvitjen bërthamore

Në një deklaratë bërë të hënën (18.05.) Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha se stërvitjet do të testojnë gatishmërinë e saj për të vendosur armë bërthamore në zona të ndryshme të vendit.

“Në bashkëpunim me palën ruse gjatë stërvitjes planifikohet të ushtrohet transportimi i municioneve bërthamore dhe përgatitja e tyre për përdorim”, thuhet në deklaratë.

Ministria shtoi se ushtrimet do të fokusohen në “praktikimin e veprimeve të fshehta, lëvizjes në distanca të mëdha dhe llogaritjeve për përdorimin e forcave dhe të pajisjeve”. Po ashtu ministria theksoi se stërvitja nuk drejtohet kundër asnjë vendi tjetër dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë në rajon.

Reagimet e Ukrainës ndaj stërvitjes bërthamore

Ministria e Jashtme e Ukrainës e dënoi ashpër stërvitjen, dhe bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të ashpërsojnë më tej sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

“Duke e kthyer Bjellorusinë në një bazë për vendosjen e armëve bërthamore pranë kufijve të NATO-s Kremlini në fakt po legjitimon përhapjen e armëve bërthamore në mbarë botën dhe po krijon një precedent të rrezikshëm për regjimet e tjera autoritare”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës.

Javën e kaluar presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski paralajmëroi se Moska po përpiqet ta përfshijë Bjellorusinë edhe më thellë në luftën kundër Ukrainës. Ai tha se Rusia po shqyrton plane për të nisur një sulm nga territori bjellorus kundër Ukrainës ose ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Kremlini i mohoi të hënën akuzat e Zelenskyt. “Kjo deklaratë nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje tjetër për nxitje, me qëllim zgjatjen e luftës dhe përshkallëzimin e tensioneve”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov./DW/

Advertisement
Advertisement
Advertisement