Është vetëm nëntë muajsh. Ky është vetëm njëri ndër fëmijët i cili është vaksinuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Njëjtë si ky edhe mbi një mijë fëmijë të tjerë kanë marrë vaksinën kundër sëmundjes së fruthit raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, 14 raste janë konfirmuar me sëmundjen e fruthit, për shkak se kanë qenë të pavaksinuar me vaksinën kundër kësaj sëmundje, e vetëm në dy javët e para të këtij muaji janë vaksinuar mbi 500 fëmijë.
Shefja e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Xhevrije Canolli në një intervistë për Ekonomia Online tregoi se vaksinimi mbetet kyç në parandalimin e fruthit.
“Atëherë pra, siç jeni të njoftuar edhe ju, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga 16 prilli deri më sot janë regjistruar 14 raste aktive me fruth. Të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar, domethënë mosvaksinimi ka ndikuar në paraqitjen e kësaj sëmundje ngjitëse që mund të parandalohet me vaksinim. Pra vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të fruthit në vendin tonë”, tha Canolli.
Ajo u bëri thirrje prindërve që t’i kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i dërgojnë në QMF për vaksinim.
“Duke qenë se kjo është sëmundje shumë ngjitëse dhe përhapet shpejt në komunitet, unë kisha bë thirrje prindërve që t’i kontrollojnë kartelat e vaksinimit dhe në rastet e mosvaksinimit të fëmijëve të tyre kundër fruthit, të lajmërohen sa më shpejt në qendrat më të afërta të mjekësisë familjare për vaksinim. Po ashtu rekomandohet shmangia e kontaktit me fëmijët e dyshimtë me fruth. Ndërsa sa i përket masave të ndërmarra nga njësia e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, janë identifikuar të gjithë fëmijët e paimunizuar dhe janë duke u telefonuar prindërit e këtyre fëmijëve që sa më parë t’i dërgojnë për vaksinim në qendrat më të afërta të mjekësisë familjare”, tha ajo.
Canolli tha se duhet marrë të dy dozat e vaksinimit në mënyrë që të ketë parandalim të plotë të fruthit dhe se janë duke u vaksinuar nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë.
“Po ashtu nga ekipet mobile të vaksinimit, janë duke u vaksinuar nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë. Nxënësit e klasës së parë gjithashtu vaksinohen me dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit, domethënë mbrojtja e plotë kundër fruthit arrihet me marrjen e dy dozave. Doza e parë aplikohet në moshën njëvjeçare, ndërsa doza e dytë në moshën gjashtëvjeçare, pra te nxënësit e klasës së parë. Me paraqitjen e këtyre rasteve të fruthit, po ashtu me thirrjet që janë bërë direkt prindërve përmes telefonit, thirrjet publike nga Instituti Kombëtar, nga Ministria e Shëndetësisë, është vërejtur një rritje e interesimit të prindërve për vaksinim. Vetëm gjatë këtyre dy javëve të muajit maj, janë vaksinuar mbi 500 fëmijë kundër fruthit, përderisa gjatë katër muajve të… gjatë katër muajve të parë të këtij viti, pra janar-prill, janë vaksinuar 686 fëmijë. Domethënë është dyfishuar numri”, tha Canolli.
Doktoresha gjithashtu përmendi se cilët persona janë më të rrezikuar dhe cilat janë komplikimet më të shpeshta shëndetësore.
“Është me rëndësi të ceket se më të rrezikuar nga fruthi janë fëmijët e paimunizuar nën pesë vjeç, gratë shtatzëna, personat me imunitet të dobësuar, edhe komplikimet që paraqiten janë më të shpeshta tek këto… tek këto raste. Komplikimet mund të paraqiten një në pesë raste. Komplikimet më të shpeshta janë pneumonia, inflamacionet e veshit apo humbja e përhershme e dëgjimit në rastet kur komplikohet inflamacioni, mandej inflamacioni i trurit ose encefaliti, i cili në rastet e rënda mund të përfundojë edhe në mënyrë fatale. Duke pasur… duke parë seriozitetin e kësaj sëmundjeje, ju kisha bë thirrje prindërve që të mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive. Vaksina kundër fruthit te ne përdoret mbi 50 vjet dhe është shumë e sigurt”, tha ajo për EO.
E pyetur se a shkakton vaksina kundër fruthit autizëm, Canolli mohoi një gjë të tillë duke thënë se të gjitha studimet tregojnë se nuk ka asnjë lidhshmëri të të dyja sëmundjeve.
“Të gjitha studimet që janë bërë deri më tani, të gjitha hulumtimet shkencore nuk tregojnë asnjë lidhshmëri në mes të vaksinës së fruthit dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit. Një prej studimeve më të mëdha shkencore është ai i vitit 2019 në Danimarkë, që është bërë në mbi 650 mijë fëmijë, të cilat studime konfirmojnë se nuk ekziston asnjë lidhshmëri shkakësore në mes të vaksinës së fruthit dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit. Po ashtu, në 2021 janë bërë mbi 13 studime në mbi 2 milionë fëmijë dhe nuk është gjetur asnjë lidhshmëri”.
“Pastaj, në dhjetor të vitit 2025, OBSH-ja, pas një analize të gjithëpërfshirëse të të gjitha provave shkencore, studimeve të bëra, rikonfirmon për mungesën e kësaj lidhshmërie në mes të çrregullimeve të spektrit të autizmit dhe vaksinimit”, tha Canolli.
Karnavali “Golden Eagle” tashmë ka zyrtarizuar datat për edicionin e vitit 2026, duke rikthyer atmosferën festive që çdo vit...