Komisioni Evropian ka propozuar rregulla të reja për thjeshtimin e udhëtimit me tren, duke lejuar rezervimin me një biletë të vetme në të gjithë Evropën, si pjesë e një pakete të re për pasagjerët, raporton Reuters
Ky propozim do të mundësonte që udhëtimet nëpër vende dhe linja të ndryshme hekurudhore në Evropë të rezervohen me një biletë të vetme, duke u dhënë pasagjerëve mundësinë të krahasojnë më lehtë çmimet mes kompanive konkurruese, ndërsa njëkohësisht do të mbroheshin të drejtat e tyre si konsumatorë në rast të humbjes së lidhjeve gjatë udhëtimeve me disa segmente.
Ai synon gjithashtu të ndihmojë Bashkimin Evropian në arritjen e objektivave të saj klimatike duke e bërë më të lehtë për pasagjerët qasjen në opsione më të qëndrueshme udhëtimi. Në nëntor, BE prezantoi një plan veprimi për të rritur ndërlidhjen e nyjeve hekurudhore evropiane, duke e bërë transportin hekurudhor një alternativë më tërheqëse ndaj fluturimeve të shkurtra.
“Aktualisht, krahasimi i të gjitha opsioneve të disponueshme të udhëtimit dhe identifikimi i zgjedhjeve më të qëndrueshme, veçanërisht për udhëtimet ndërkufitare, mbetet i vështirë për pasagjerët në Bashkimin Evropian; sidomos për biletat e trenit,” tha KE të mërkurën.
Kompanitë hekurudhore do të kenë një vit kohë për të përshtatur faqet e tyre të internetit dhe platformat.