Sean Strickland shkaktoi një nga befasitë më të mëdha të vitit në UFC, pasi mposhti Khamzat Chimaev me vendim të ndarë të gjyqtarëve dhe fitoi titullin e kategorisë së mesme në UFC 328, që u zhvillua në Newark.
Pas një raundi të parë shumë të vështirë në tokë, ku Chimaev dominoi me stilin e tij agresiv, Strickland arriti të rikthehej fuqishëm në vazhdim të duelit dhe të siguronte një fitore të madhe falë qëndrueshmërisë dhe luftës së fortë deri në fund.
Dy nga tre gjyqtarët e vlerësuan përballjen 48-47 në favor të amerikanit, ndërsa gjyqtari i tretë ia dha fitoren Chimaevit me të njëjtin rezultat.
Me këtë triumf, Strickland 35-vjeçar u shpall kampion i kategorisë së mesme në UFC për herë të dytë në karrierë, duke rikthyer edhe një herë emrin e tij në majën e organizatës më të madhe të arteve marciale mikse.
Nga ana tjetër, kjo ishte humbja e parë në karrierën profesionale për Chimaevin, i cili kishte hyrë në këtë duel me bilanc perfekt prej 16 fitoresh radhazi.