Çfarë ndodh në tru në sekondat e fundit të jetës? Kjo është një nga pyetjet që prej kohësh ka intriguar shkencëtarët. Një studim i ri sugjeron se truri i njeriut mund të jetë më aktiv nga sa mendohej më parë, edhe kur personi është pa vetëdije.
Studiuesit nga Baylor College of Medicine kanë zbuluar se truri mund të përpunojë gjuhë të ndërlikuar edhe gjatë anestezisë së përgjithshme. Sipas tyre, kjo tregon se disa funksione të trurit vazhdojnë të punojnë edhe kur vetëdija është e ndërprerë.
“Gjetjet tona tregojnë se truri është shumë më aktiv dhe më i aftë gjatë pavetëdijes nga sa mendohej më parë”, tha Dr. Sameer Sheth, një nga autorët e studimit. “Edhe kur pacientët janë plotësisht nën anestezi, truri i tyre vazhdon të analizojë botën përreth.”
Studimi, i publikuar në revistën Nature, sfidon mënyrën se si kuptohet lidhja mes vetëdijes dhe përpunimit të informacionit. Deri tani, shumë teori sugjeronin se njohja e modeleve, interpretimi i kuptimit dhe parashikimi i informacionit kërkonin vetëdije të plotë.

Për të hetuar këtë proces, studiuesit regjistruan aktivitetin e trurit te pacientë që ndodheshin nën anestezi të përgjithshme gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale për epilepsi. Ata u përqendruan veçanërisht te hipokampusi, zona e trurit që lidhet me kujtesën.
Gjatë operacionit, pacientëve iu vendosën tinguj të përsëritur, të ndërprerë herë pas here nga një tingull i ndryshëm. Rezultatet treguan se qelizat nervore në hipokampus ishin në gjendje të dallonin tingujt e pazakontë dhe se kjo aftësi përmirësohej me kalimin e kohës. Sipas studiuesve, kjo sugjeron se truri mund të mësojë edhe në gjendje pavetëdijeje.
Në një fazë tjetër, pacientëve iu dëgjuan histori të shkurtra. Edhe në këtë rast, hipokampusi tregoi shenja të përpunimit të gjuhës në kohë reale. Truri ishte në gjendje të dallonte emra, folje dhe mbiemra, madje edhe të parashikonte fjalët që mund të vinin më pas në një fjali.
“Këtë lloj parashikimi zakonisht e lidhim me gjendjen zgjuar dhe përqendrimin, por këtu po ndodh në një gjendje pavetëdijeje”, tha bashkautori i studimit, Dr. Benjamin Hayden.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate nuk provojnë ende se truri përpunon gjuhë në sekondat e fundit para vdekjes. Anestezia nuk është e njëjtë me gjendje të tjera pa vetëdije, si gjumi, koma apo momentet para ndalimit të funksioneve jetësore.
Sipas autorëve, nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar nëse këto gjetje vlejnë edhe për situata të tjera, përfshirë momentet e fundit të jetës.
Studimi vjen pas hulumtimeve të tjera që kanë shqyrtuar ëndrrat dhe vizionet në fund të jetës. Në një studim me kujdestarë të personave në fazë terminale, shumë raportuan se pacientët kishin ëndrra të gjalla me njerëz të dashur të ndjerë, si dhe simbole kalimi, si dyer, shkallë apo dritë.
Megjithëse misteri i asaj që ndodh në sekondat e fundit të jetës mbetet i pazgjidhur, gjetjet e reja tregojnë se truri mund të vazhdojë të përpunojë informacion në mënyra më komplekse nga sa është menduar deri tani. /GazetaExpress/