Grupi i parë i dokumenteve sekrete mbi UFO-t është dorëzuar për publikim, ndërsa në SHBA po rriten pritshmëritë për një transparencë më të madhe mbi atë që qeveria di për objektet e paidentifikuara fluturuese.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi të martën se vala e parë e dokumenteve që qeveria amerikane ka mbajtur për raste të dyshuara UFO-sh i është dërguar tashmë komitetit ndërinstitucional të ngritur nga Shtëpia e Bardhë. Sipas tij, këto materiale pritet të bëhen publike “në një të ardhme shumë të afërt”.
Në podcast-in “Hang Out with Sean Hannity”, Patel tha se FBI e ka dorëzuar tashmë grupin e parë të informacionit dhe se komiteti do ta publikojë atë së shpejti. Ai theksoi se nuk ka asgjë në këtë çështje që, sipas tij, agjencia nuk dëshiron të bëhet publike.
Patel shtoi se procesi po udhëhiqet nga Departamenti amerikan i Luftës dhe sekretari Pete Hegseth, pas urdhrit të 19 shkurtit nga presidenti Donald Trump për të publikuar informacionet që komuniteti i inteligjencës ka mbledhur mbi jetën jashtëtokësore.
Megjithatë, drejtori i FBI-së tha se personalisht nuk ka informacion nëse SHBA ka rikuperuar ndonjëherë trupa jashtëtokësorësh nga rrëzime të supozuara të UFO-ve.

“Publiku amerikan i do dokumentet. Ne i kemi dorëzuar dokumentet. Ato do të dalin. Kaq”, u shpreh Patel.
Ndërsa pritjet për publikimin e dosjeve po shtohen, ish-oficeri i Forcave Ajrore dhe sinjalizuesi i njohur për çështjet e UFO-ve, David Grusch, pretendon se brenda qeverisë amerikane ka ende përpjekje për të kontrolluar ose kufizuar informacionin para publikimit.
Në një intervistë për Judicial Watch, Grusch tha se po sheh “lojëra pushteti” dhe përpjekje nga disa agjenci për të vendosur njerëz në pozicione kyçe, me qëllim kontrollin e mënyrës se si do të dalë informacioni.
Pentagoni është kritikuar tashmë nga Kongresi për mosrespektimin e një afati të rreptë për publikimin e dhjetëra videove që thuhet se përmbajnë regjistrime të UFO-ve. Kongresmenja Anna Paulina Luna i dërgoi një letër sekretarit Hegseth më 1 prill, duke kërkuar që Pentagoni të dorëzonte 46 video specifike deri më 14 prill 2026.

Ligjvënësit kanë argumentuar se këto pamje mund të ndihmojnë në identifikimin e modeleve të aktivitetit pranë zonave të ndjeshme ushtarake dhe në vlerësimin nëse objektet përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Ende nuk dihet nëse videot janë dorëzuar.
Pavarësisht manovrave që ai i cilëson si pengesa, Grusch beson se çështja e transparencës për UFO-t mund të arrijë një pikë kthese brenda 60 deri në 90 ditëve të ardhshme.
Grusch, i cili aktualisht shërben si këshilltar i kongresmenit Eric Burlison, ka kaluar 14 vjet në Forcat Ajrore dhe më pas ka punuar si oficer inteligjence në National Reconnaissance Office, agjencia që ndërton dhe lëshon satelitë mbikëqyrës për Pentagonin.
Ai u bë sinjalizues publik në vitin 2023, kur dëshmoi para Kongresit se, sipas pretendimeve të tij, elemente të qeverisë amerikane kishin fshehur për dekada programe për rikuperimin dhe analizimin e teknologjive të supozuara jashtëtokësore.
Spekulimet mbi përmbajtjen e grupit të parë të dokumenteve kanë shkaktuar reagime edhe mes disa udhëheqësve fetarë. Disa pastorë të krishterë kanë pretenduar se janë kontaktuar nga përfaqësues të qeverisë amerikane për t’u përgatitur për publikimin e informacionit mbi UFO-t.
Peshkopi Alan DiDio, nga Revival Nation Church, deklaroi në një podcast më 7 mars se ishte një nga gjashtë pastorët e krishterë të ftuar në një takim sekret me zyrtarë të inteligjencës amerikane. Sipas tij dhe disa drejtuesve të tjerë fetarë, autoritetet ishin të shqetësuara se publikimi i informacionit mund të trondiste besimin e disa të krishterëve.

Kongresmenja Luna, e cila drejton komitetin e Dhomës së Përfaqësuesve për deklasifikimin e sekreteve qeveritare, ka kërkuar publikisht që peshkopi DiDio të zbulojë se cilët zyrtarë të inteligjencës morën pjesë në atë takim.
Edhe pse presidenti Trump ka shprehur publikisht skepticizëm për ekzistencën e jetës jashtëtokësore, ai ka thënë së fundmi se dosjet e UFO-ve do të përmbajnë gjëra “shumë interesante” për publikun. Gjatë një takimi me ekuipazhin e misionit hënor Artemis II të NASA-s, Trump tha se kishte folur me pilotë ushtarakë që i kishin treguar për incidente me objekte që ata besonin se nuk ishin njerëzore.
Deri më tani, qeveria amerikane dhe Pentagoni kanë mbajtur qëndrimin se nuk ka prova fizike që vërtetojnë ekzistencën e UFO-ve me origjinë jashtëtokësore apo të jetës aliene. /GazetaExpress/