Raport i AXA-s tregon rritje të ndjeshme të vjedhjeve të automjeteve në vitin 2025, me ndikim të madh në kantonet pranë kufirit me Francën.
Sipas kompanisë së sigurimeve AXA, në vitin 2025 është regjistruar një rritje e ndjeshme e vjedhjeve të automjeteve, ku shumica e rasteve janë raportuar në kantonet Gjenevë dhe Vaud, përcjell albinfo.ch.
Kostoja totale e dëmeve të lidhura me këto vjedhje vlerësohet rreth 5 milionë franga zvicerane, pothuajse dyfish më shumë krahasuar me vitet e mëparshme.
Sipas të dhënave, arsyeja kryesore pse Gjeneva dhe Vaud janë më të prekura lidhet me afërsinë e tyre me kufirin francez, gjë që lehtëson kalimin e automjeteve të vjedhura jashtë vendit.
“Po vërehet një rritje e grupeve të organizuara kriminale që vjedhin automjete dhe i nxjerrin jashtë vendit,” ka deklaruar Samuel Gétaz, drejtues i sektorit të dëmeve në AXA.
Edhe Policia Federale e Zvicrës (Federal Office of Police Switzerland) thekson se Zvicra frëngjishtfolëse është më e prekur nga krimi i organizuar që vjen nga Franca.
Sipas autoriteteve, shumica e autorëve të këtyre vjedhjeve vijnë nga periferitë e qyteteve franceze pranë kufirit, përfshirë Annemasse, Lyon, Grenoble, Montbéliard dhe Saint-Étienne./Albinfo.ch