Ukaj: Arkitektura shpirtërore dhe politike e kombit shqiptar është e lidhur me emrin e Gjergj Kastriotit, më shumë se me çdo emër e ngjarje tjetër - Gazeta Express
string(144) "ukaj-arkitektura-shpirterore-dhe-politike-e-kombit-shqiptar-eshte-e-lidhur-me-emrin-e-gjergj-kastriotit-me-shume-se-me-cdo-emer-e-ngjarje-tjeter"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

06/05/2026 11:53

Ukaj: Arkitektura shpirtërore dhe politike e kombit shqiptar është e lidhur me emrin e Gjergj Kastriotit, më shumë se me çdo emër e ngjarje tjetër

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

06/05/2026 11:53

Arkitektura shpirtërore dhe politike e kombit shqiptar është e lidhur me emrin e Gjergj Kastriotit, më shumë se me çdo emër e ngjarje tjetër, prandaj, ne kemi nevojë ta aktualizojmë tregimin për të, për ta ndriçuar errësirën e madhe në historinë tonë, por edhe për t’i kuptuar shkaqet e mjerimit tonë, që bërtasin edhe në ditët e sotme.

Shkruan: Ndue Ukaj

Në të vërtetë, historia jonë, nuk njeh një ngjarje të dytë, pas periudhës së Kastriotit, kur ne, si komb krijuam histori të madhe dhe u bëmë pjesëmarrës aktivë në ngjarjet të Europës a të botës.

Pikërisht kjo është arsyeja, pse bëmat e Gjergjit, u përjetësuan, prej shkrimtarëve, muzikantëve, filozofëve e piktorëve të Europës, shumë kohë përpara se të kthehej si figura kryesore kombëtare, përgjatë Rilindjes Kombëtare, periudhë kjo kur shqiptarët e dërmuar prej robërisë, po kërkonin lirinë e humbur, udhën e kthimit në Europë, dhe shëmbëllimin e frymëzimin e gjenin te emri dhe lavdia e Gjergjit.

Pas vdekjes (1468), figura e tij është luftuar; është luftuar edhe kujtimi për të, madje, është dhunuar edhe varri i tij, por ai ka jetuar i gjallë në kujtimet e arbërve të ikur dallgëve të frikës, përtej Adriatikut, ka jetuar në mesin e kombeve të Europës dhe në kujtimet popullore, ndonëse, sundimi i gjatë otoman, deshi ta zhbënte emrin dhe hijen e tij.

Sepse, sunduesit otoman “…shpresonin që një ditë të shtypurit do t’i donin sunduesit. Madje të kishin mall për ta, saqë, po të vinte dita që ata të iknin, t’u thoshin: mos! Mos na lini. Ose: kthehuni prapë”, thotë një personazh turk në novelën fantastike të Ismail Kdaresë, “Raporti i fshehtë”, ku Kadare, heroit tonë kombëtar i jep tiparet e një Krishti që ka themeluar kombin shqiptar.

Pra, mes kësaj dëshire skëterre të pushtuesit otoman, kishte shndrit figura e Gjergjit, që nuk lejonte një gjë të tillë, që e luftonte errësirën e harresën dhe përpara shqiptarëve shfaqej si një figurë ripërtëritëse, dritëdhënëse. Dhe sa herë shqiptarët ishin të molepsur, ai u jepte shpresë, sa herë ishin në terr, ai u jepte dritë.

Dhe Tuz efendiu, në këtë novelë, duke lexuar “Merhum Defteri”, kupton për një varr tjetër, të gjeneralit Ballaban, tradhtarit, jeniçer shqiptar, që kishte ngulë flamurin turk në murin e Kostandinopojës. Pra, jemi përpara një shemrim varresh, dhe turku e kupton se në jetën shqiptare bëhej fjala për “dyvarri”, dhe pikërisht nga kjo enigmë varej gjithçka, meqë, “këndej e tutje historia shqiptare do të përcaktohej, më sa dukej, nga ndeshja midis dy varreve, të zbrazëtit dhe të plotit.”

Shqiptarët që e kanë dashtë lirinë, janë lidhë përjetë me varrin e Gjergjit dhe jo të Ballabanit.

Ky mësim vlen edhe sot, kur, kudo hapësirave tona sheh budallenj e mendjekëqij, që i falen varrit të Ballabanit dhe një perandori që përfaqëson të keqen më të madhe në historinë tonë, një perandori, që na shkretoi tokat për pesë shekuj e kur iku, na la në mjerim të madh: pa shkolla, pa art, pa biblioteka, pa teatro, pa sheshe të bukura e me tonelata mjerim.

Prandaj, figura e Gjergjit nuk është mit e as produkt i tallaveve ideologjike komuniste, siç përqurren herë pas here ca shqiptarë mendjeshkretë, por është figurë reale, e jashtëzakonshme, me shtirje në krejt historinë kulturore perëndimore, kësisoj, ai nuk është luks, siç thotë Kadareja, por një gur themeli.

Ndër shqiptarë ndihet përsëri nevoja që ta qartësojnë raportin e tyre me të kaluarën e në këtë drejtim, së pari me Parandorinë Osmane, e cila, në historinë shqiptare përfaqëson një të keqe të madhe, dhe këtë të keqe, pa pasë nevojë për stërhollime historike, më së miri e provon gjendja e shqiptarëve pas ikjes së kësaj perandorie.

Çka shohim në jetën shqiptare, në vitin 1912?

Shohim toka të lënë djerrë, siç thoshin rilindësit e mëdhenj, një popullsi të rrënuar, analfabete, shohim një pejzash arkitektonik të shëmtuar, gjejmë aq pak gjurmë kulture sa të kap trishtimi, s’gjejmë shkolla, as teatro, as fusha sportive, as opera, as biblioteka…por gjejmë mjerim e injorancë pafund.

Këtë të vërtetë, njeriu me një grimë tru, mund ta kuptojë porsa del prej hapësirave shqiptare dhe bie në kontakt me një kulturë tjetër, europiane, ku rrezaton arti, sheh sheshe të mëdha, arkitekturë magjepse dhe të bukurën që të lë pa frymë. Pra, gjatë sundimit të gjatë otoman, shqiptarët ishin të privuar nga të gjitha të mirat e civilizimit, jetuan pa shkolla, pa art, thjesht, pa mjetin themelor që ka shpikur njerëzimi për të luftuar të keqen e injorancën.

Pikërisht për këtë arsye, këtë trashëgimi e kanë goditur pamëshirshëm figura më të shquara të historisë sonë politike e kulturore, ata që krijuan shtetin shqiptar dhe atë të Kosovës, mes të cilëve dallohen Faik Konica, Mithat Frashri, Ismail Kadare e Ibrahim Rugova, e shumë e shumë të tjerë.

Sot, me dashtë Gjergj Kastriotin para se gjithash, domethënë, me dashtë idenë për çka ka luftuar ai, filozofinë e tij e gjakimet për çka punoi një çerek shekulli.

Advertisement
Advertisement
Advertisement