Një formë e re trajtimi për kancerin, që zgjat vetëm një minutë, pritet të sjellë përfitime për dhjetëra mijëra pacientë në sistemin shëndetësor britanik, NHS.
Bëhet fjalë për një terapi imunologjike në formë injeksioni, e njohur si Pembrolizumab, e cila ndihmon sistemin imunitar të luftojë qelizat kancerogjene.
Ky trajtim është efektiv për 14 lloje të ndryshme kanceri, përfshirë atë të mushkërive, gjirit, qafës dhe kokës, si dhe kancerin e qafës së mitrës.
Sipas autoriteteve shëndetësore, kjo metodë e re pritet të zëvendësojë infuzionin intravenoz, i cili mund të zgjasë deri në dy orë për çdo seancë.
Injeksioni i ri administrohet çdo tre javë në vetëm 60 sekonda, ose çdo gjashtë javë për rreth dy minuta, duke reduktuar kohën e trajtimit me rreth 90 për qind.
Ekspertët theksojnë se kjo risi jo vetëm që lehtëson barrën për pacientët, duke u kursyer kohë në spital, por gjithashtu rrit kapacitetet e shërbimit shëndetësor për të trajtuar më shumë persona.
Ilaçi vepron duke bllokuar proteinën PD-1, e cila pengon reagimin imunitar, duke i mundësuar trupit të identifikojë dhe sulmojë më efektivisht qelizat kancerogjene.
Megjithatë, si çdo terapi që ndikon në sistemin imunitar, edhe ky trajtim mund të shoqërohet me efekte anësore, si lodhje, probleme me frymëmarrjen, çrregullime të tiroides apo inflamacion në organe të ndryshme.
Rastet më të rënda janë të rralla dhe mund të ndodhin pavarësisht mënyrës së administrimit të ilaçit.
Autoritetet britanike e kanë cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit ndaj pacientëve me kancer, duke synuar trajtim më të shpejtë, më efikas dhe më të përshtatshëm për jetën e përditshme të tyre. /GazetaExpress/