Wayne Rooney ka mbështetur Arsenalin që ta fitojë “me lehtësi” titullin e Premierligës përpara Manchester Cityt.
Skuadra e Mikel Artetës është shkëputur me gjashtë pikë në krye të tabelës pas fitores 3-0 ndaj Fulhamit të shtunën.
City ka dy ndeshje më pak dhe mund ta ngushtojë diferencën në tre pikë nëse fiton ndaj Evertonit të hënën në mbrëmje.
Kishte dyshime për Arsenalin pas humbjeve radhazi në kampionat ndaj Bournemouthit dhe Manchester Cityt muajin e kaluar.
Megjithatë, Rooney është i bindur se Arsenali do t’i fitojë tri ndeshjet e mbetura ndaj West Ham Unitedit, Burnleyt dhe Crystal Palaces, ndërsa beson se skuadra e Pep Guardiolës do të gabojë.
“Unë mendoj se Arsenal do ta fitojë,” tha Rooney në emisionin “Match of the Day”.
“E kam menduar këtë edhe pasi Manchester City mundi Arsenalin. Mendova se ndoshta ishte pak në kokën e lojtarëve të Arsenalit, duke luajtur në fushën e Cityt dhe duke humbur finalen e kupës ndaj tyre”, tha ai fillimisht.
“Por fakti që mbetën aty, në nivel pikësh pas asaj humbjeje, dhe duke parë kalendarin më të favorshëm, mendoj se do t’i fitojnë të gjitha ndeshjet”, shtoi ai.
“Mund ta shoh Cityn të humbasë pikë në një ose dy ndeshje. Madje, mendoj se Arsenali mund ta fitojë titullin relativisht lehtë, ndoshta me tre deri në pesë pikë diferencë”, u shpreh anglezi.
I pyetur pse mendon se City do të lëshojë pikë, Rooney u përgjigj: “Thjesht ashtu mendoj. Arsenal ka qenë fantastik, ka qenë në krye për pjesën më të madhe të sezonit. Ndoshta loja e tyre nuk bie gjithmonë në sy për të gjithë, por mendoj se me ngarkesën e ndeshjeve që ka City dhe me qëndrueshmërinë e Arsenalit gjatë gjithë sezonit, ky është viti i tyre”, e mbylli ai./GazetaExpress/