Poeti dhe studiuesi i njohur Kujtim M. Shala ka botuar librin e tij më të ri poetik me titull “Shpia”.
Ky libër së pari ka dalë në gjuhën italiane (“La casa”), në vitin 2025.
“Shpia” është një përzgjedhje që përfaqëson një pjesë të veprës poetike të Shalës, me tematikë të theksuar personale.
“Shpia” është strukturuar në katër cikle, të titulluara: “Shpia”, “Foresteria”, “Trajtat” dhe “Kujtimi”.
Në këtë vepër zbulojmë poetin personal, ndjeshmërinë, idiomën dhe gjuhën e kultivuar të tij, e cila buron nga kultura e librit dhe që përkthehet në stil poetik autentik të Shalës.
E strukturuar dhe e përcaktuar në këtë mënyrë, “Shpia” është një vepër poetike përfaqësuese e poetit Shala.
Rikujtojmë se Kujtim M. Shala është poet dhe studiues, profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës, anëtar i rregullt (akademik) i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kujtim M. Shala, deri më tani, ka botuar 62 libra në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera. Po ashtu, Shala është autor i qindra artikujve shkencorë.
Veprën “Shpia” e botoi Shtëpia Botuese “Dukagjini” dhe ka 99 faqe.
Shpia
Baba ndërtoi shpi të re
mos me vdekë prej mallit
të vjetrën e la rrënojë
me e pasë mallin për vete
Nana habitet me të
Gjyshja e ka edhe një mall ma shumë
Unë jam i vogël
për mallin e Babës e të Gjyshes
marr pak habi prej Nanës
Mbretnesha
Mbretneshë
asnjiherë e prekun prej durve t’zeshkta
kapakt e syve lshuem rand
shtete e pushtete floku yt
e gjini i thepisun
rrxojnë
ku nis me dashtë ti
mbarojnë ujnat e qeta
rritet zjarmi
ku nis idhnimi yt
rrukulliset qielli i bardhë
Rruzullimi vorr bahet
me terr përziem mbi e ndër dhé
Mbretneshë
sa herë kujtoj se m’lshon sy
tanë vullkanet i kam për veti
dhe mbretneshë për veti ty
Ma dimën se dimni
n’mue
ndër sundin tand
lejnë e mbesin kput për dhé
njerzit e dheut tem
e tana rrugtë mbarojnë te kamba jote
me pak qiell t’rrxuem
Mbretneshë
për nji vorr me pak qiell përziem
rrnoj
kah shkel kamba jote
e syni yt shejon
tana tjerat janë pluhun
e tjetër s’bahen asnjiherë
me hijen tande me i matë
Një muaj dedikuar për ju duke ju ofruar çmime të mahnitshme Shfleto Fletushkën Online: https://etc-ks.com/fletushka/new/index.php?fletushka=1390481553 Bleni më shumë e...