Revolucion në karikim: Bateria që mbushet në 6 minuta - Gazeta Express
string(52) "revolucion-ne-karikim-bateria-qe-mbushet-ne-6-minuta"

AutoTech

Gazeta Express

22/04/2026 20:54

Revolucion në karikim: Bateria që mbushet në 6 minuta

AutoTech

Gazeta Express

22/04/2026 20:54

Kompania kineze e teknologjisë së energjisë CATL ka prezantuar një bateri të re për automjetet elektrike (EV), e cila mund të karikohet pothuajse aq shpejt sa mbushja e një veture me benzinë.

Bateria e gjeneratës së fundit “Shenxing”, me bazë litium-hekur-fosfat, arrin të karikohet nga 10% në 98% për vetëm 6 minuta e 27 sekonda. Një karikim më i zakonshëm nga 10% në 80% zgjat vetëm 3 minuta e 44 sekonda. Madje, në vetëm një minutë, bateria mund të arrijë deri në 35% karikim.

Këto shifra tejkalojnë rekordin e mëparshëm të vendosur nga prodhuesi tjetër kinez BYD, i cili kishte arritur rreth 9 minuta për karikim të plotë.

CATL, kompania më e madhe në botë për bateri EV, thotë se teknologjia funksionon edhe në temperatura ekstreme: në -30°C bateria ende mund të karikohet nga 10% në 98% për rreth 9 minuta.

Sipas themeluesit dhe drejtorit ekzekutiv Robin Zeng, kufijtë e teknologjisë së baterive ende nuk janë arritur: “Mundësitë e shkencës së materialeve janë shumë më të mëdha se sa mendojmë.”

Sekreti i shpejtësisë së re qëndron në uljen e rezistencës elektrike brenda baterisë, çka lejon transferim më efikas të energjisë. CATL thotë se kjo bateri ka rezistencën më të ulët në treg – më pak se gjysma e mesatares së industrisë.

Po ashtu, bateria ruan shpejtësinë e karikimit edhe kur afrohet 100%, ndryshe nga shumica e modeleve aktuale që ngadalësohen pas 80%.

Një tjetër risi është sistemi i ngrohjes së brendshme për përdorim në mot të ftohtë, një problem i njohur për automjetet elektrike.

Në të njëjtin prezantim, CATL zbuloi edhe bateri të tjera eksperimentale, përfshirë një model që mund të ofrojë deri në 612 milje (rreth 985 km) autonomi dhe një koncept edhe më ambicioz me deri në 932 milje (rreth 1.500 km), i destinuar për modele luksoze ose aplikime të veçanta.

Megjithatë, ekspertët kujtojnë se prodhimi i baterive ka edhe kosto mjedisore, sidomos për shkak të nxjerrjes së litiumit dhe mineraleve të rralla. Në disa raste, ndotja fillestare mund të jetë më e lartë se ajo e makinave me benzinë në vitet e para të përdorimit, por më pas automjetet elektrike rezultojnë dukshëm më të pastra gjatë jetës së tyre.

Pavarësisht debatit, CATL synon një qasje të larmishme teknologjike për tregun – nga makinat e vogla urbane deri te automjetet e rënda me distanca të gjata – me qëllimin që teknologjia elektrike të bëhet e aksesueshme për sa më shumë njerëz. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement