Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i cili ka qenë ndër kritikët më të zëshëm evropianë të luftës së Izraelit në Gaza, deklaroi se do t’i kërkojë Bashkimit Evropian të përfundojë marrëveshjen e asociimit me Izraelin të martën.
Ai thotë se nuk është kundër popullit izraelit, por sipas tij, qeveria e Benjamin Netanyahut ka shkelur parimet dhe ligjin ndërkombëtar dhe për rrjedhojë nuk mundet që të jetë një partner i Unionit Evropian.
“Ka ardhur koha që BE-ja të prishë marrëveshjen e saj të asociimit me Izraelin. Nuk kemi asgjë kundër popullit të Izraelit, përkundrazi. Por një qeveri që shkel ligjin ndërkombëtar, dhe kështu shkel vlerat dhe parimet e BE-së – nuk mund të jetë partneri ynë.”, u shpreh kryeministri spanjoll të dielën.
Qeveria izraelite i është kundërpërgjigjur Sanchezit, duke e akuzuar atë për hipokrizi dhe standarde të dyfishta.
“Nuk do të pranojmë një mësim hipokrit nga dikush që ka një marrëdhënie me regjime totalitare që shkelin të drejtat e njeriut, siç është Turqia e Erdoganit dhe Venezuela e Maduros”, postoi ministri i jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, në X , së bashku me një fotografi që tregonte një poster të fytyrës së Sanchez dhe kritikat e tij për luftën e Izraelit kundër Iranit me një raketë iraniane.
Duke iu referuar posterit, Sa’ar tha se qeveria spanjolle kishte marrë falënderime “nga regjimi brutal dhe organizata terroriste e Iranit”, duke shtuar se ajo i është “përkushtuar përhapjes së antisemitizmit”.
Pastaj ai ia ktheu me fjalët e Sanchez: “Nuk kemi asgjë kundër qytetarëve të Spanjës, përkundrazi, por kemi kundër standardit të dyfishtë të qeverisë së [Pedro Sanchez]”. /Panorama