Reagon Ismaili: Nga 16 oficerë të ri, 0 shqiptarë - Gazeta Express
string(47) "reagon-ismaili-nga-16-oficere-te-ri-0-shqiptare"

Maqedoni

Gazeta Express

02/04/2026 13:33

Reagon Ismaili: Nga 16 oficerë të ri, 0 shqiptarë

Maqedoni

Gazeta Express

02/04/2026 13:33

Ish-zëvendësministrja e Mbrojtjes, Elfete Ismaili, ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson ajo, përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga strukturat kyçe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të vendit. Në reagimin e saj, Ismaili thekson se zhvillimet e fundit janë “thellësisht shqetësuese”, duke përmendur si shembull kursin e fundit për oficerë, ku sipas saj janë përzgjedhur 16 kandidatë, të gjithë maqedonas, pa asnjë përfaqësues shqiptar.

“Ky nuk është rast i izoluar, por një qasje që po përsëritet dhe që tregon një model përjashtues në institucionet kyçe të shtetit”, deklaron Ismaili. Ajo ka ngritur shqetësim edhe për përfaqësimin në misionet diplomatike ushtarake, duke theksuar se në përfaqësinë në NATO në Bruksel nuk ka asnjë shqiptar, ndërsa në disa ambasada, si në Berlin dhe Ankara, përfaqësues shqiptarë janë zëvendësuar me kandidatë të nacionaliteteve të tjera.

Reagimi i plotë i ish-zëvendësministres së Mbrojtjes, Elfete Ismaili:

Ajo që po ndodh me përfaqësimin e Shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes është e papranueshme dhe thellësisht shqetësuese.

Në kursin për oficer para 1 muaji e ca, janë përzgjedhur 16 kandidatë  të gjithë Maqedonas, pa asnjë përfaqësues Shqiptar.

Në misionet diplomatike, e njëjta logjikë përjashtuese po vazhdon: në Bruksel-NATO asnjë Shqiptarë, në Berlin  një atashe Shqiptar zëvendësohet me një Maqedonas; në Ankara  një tjetër Shqiptar zëvendësohet dhe vendin e tij e merr përfaqësues nga një nacionalitet tjetër.

Kjo nuk është rastësi kjo është një qasje sistematike që po vazhdon.

Kjo nuk është çështje e “meritës”, siç mund të tentohet të paraqitet. Është çështje e balancës, e drejtësisë dhe e respektimit të një realiteti multietnik që nuk mund dhe nuk duhet të injorohet.

Kur një popull i tërë përjashtohet vazhdimisht nga institucionet kyçe, në rastin konkret Shqiptarët, atëherë kemi të bëjmë me diskriminim të maskuar dhe me një politikë që minon bashkëjetesën.

Të thuash “nuk vleni” përmes veprimeve institucionale është shumë më e rëndë sesa çdo fjalë e thënë publikisht. Sepse këto vendime nuk janë vetëm simbolike, ato ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve ndaj shtetit dhe në ndjenjën e përkatësisë së tyre.

Kërkojmë përfaqësim të drejtë. Kërkojmë që institucionet e shtetit të reflektojnë bashkëjetesën dhe diversitetin që ky vend ka.

Nëse kjo qasje vazhdon, pasojat nuk do të jenë vetëm politike, por edhe shoqërore.

Një shtet që mbyll dyert për pjesën tjetër shumicë të qytetarëve të tij, rrezikon të humbasë vetë themelin mbi të cilin qëndron.

Dhe ajo që e bën këtë situatë edhe më të papranueshme është heshtja dhe paaftësia e VLEN-it për të mbrojtur interesin shqiptar një heshtje që po kthehet në bashkëpërgjegjësi.

Koha për reflektim ka kaluar. Tani është koha për përgjegjësi.

Advertisement
Advertisement
Advertisement