Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin ditën e sotme, ku në një fshat të Klinës, për shkak të të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i vdekur.
Viktima është Faruk Isufi.
Lidhur me ngjarjen, ka folur zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi. Ky i fundit për T7, ka thënë se, i dyshuari është arrestuar në vendngjarje, ndërsa informatat e para për rastin, Policia e Kosovës, i ka pranuar rreth orës 15:08, përcjell Gazeta Express.
‘‘Fillimisht dyshohet se ka pasur një fjalosje brenda një ambienti familjar, ku më pas është përdorur edhe arma e zjarrit, ku për fat të keq nga plagët e marra viktima ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar në Spitalin Rajonal të Pejës. Pas ngjarjes së rëndë, Policia e Kosovës ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku edhe ka arrestuar personin e dyshuar. Me pas aty kanë shkuar të gjitha njësitet relevante policore bashkë me Prokurorin e Krimeve të Rënda i cili e ka ndaluar për 48 orë personin e dyshuar, për veprën penale ‘’vrasje e rëndë’’, dhe njëkohësisht në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë zjarri e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast dhe disa gëzhoja si dhe prova të tjera relevante. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion, ndërkaq bashkë me Policinë e Kosovës, Prokurori i Shtetit është duke u koordinuar për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ta ndriçuar këtë çështje penale’’, ka thënë Nikçi në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në T7.
Më tej, zëdhënësi i prokurorisë, ka deklaruar edhe se, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, gjë e cila do të bëhet brenda afatit ligjor.
Ai po ashtu, ka deklaruar se deri më tani nuk ka informata se i dyshuari, apo viktima të kenë ndonjë evidencë penale.
‘’Brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ku e njëjta do të mbahet në Gjykatën Themelore të Pejës. Deri më tani nuk kemi informata se kanë ndonjë evidencë penale të dy personat në këtë rast, edhe personi i dyshuari edhe viktima’’, ka shtuar ai.
Në fund, Nikçi ka bërë të ditur edhe se, në vendin e ngjarjes vazhdojnë të jenë ekipet, duke zhvilluar hetime.
‘’Ekipet hetimore në krye me Prokurorin e Krimeve të Rënda, janë duke zhvilluar hetime. Në vendin e ngjarjes janë ende duke punuar prokurori i shtetit dhe ekipet hetimore të policisë së Kosovës’’, ka deklaruar zëdhënësi Nikçi. /GazetaExpress