Gjykata Kushtetuese në Maqedoni të Veriut dje refuzoi tri iniciativat me të cilat u kontestuan dispozitat e Ligjit për kundërvajtje, gjegjësisht aplikimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”. Dispozitat ligjore u kontestuan edhe në përdorimin zyrtar të gjuhëve në procedurë kundërvajtëse. Iniciativat e paraqitura nga disa politikanë shqiptarë kërkonin që të shqyrtohej nëse ligji në fjalë cenon të drejtën kushtetuese për përdorimin e gjuhëve zyrtare. Sipas tyre, në procedurat për kundërvajtje që gjenerohen nga sistemi i kamerave, gjuha shqipe nuk po përdoret në mënyrë të barabartë me gjuhën maqedonase, raporton.
Vendimit i parapriu një debat i gjerë me mendime të ndara, posaçërisht nga gjykatësit shqiptarë sa i përket aplikimit të gjuhës shqipe në këtë rast.
Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu ngriti pikërisht këtë shqetësim gjatë debatit në gjykatë, duke theksuar se të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk mund të kufizohen apo të anashkalohen nga ligje të zakonshme. Ai theksoi se në rastin konkret problemi qëndron te moszbatimi në praktikë i përdorimit të gjuhës shqipe në procedurat për kundërvajtje.
“Me ligjin që e miraton shtëpia ligjvënëse, për çdo të drejtë që vërtetohet apo garantohet me Kushtetutë, ligjvënësi nuk mundet që atë të drejtë ta ngushtojë, ta kufizojë e aq më pak ta shfuqizojë atë. Nuk e ka një të drejtë të tillë. Në rastin konkret, çështja e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, edhe në procedurat për këto kundërvajtje. E drejta nuk po zbatohet dhe kjo d.m.th. se gjuha shqipe nuk po përdoret”, tha gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu.
Debati u thellua edhe më shumë pas deklaratave të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili tha se njoftimet për gjoba përmes SMS-ve dërgohen në gjuhën maqedonase dhe mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në gjuhën shqipe, duke shtuar nuk pajtohet që “bëhet fjalë për shkurtimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve”.
Kjo deklaratë nxiti reagime të forta nga përfaqësuesit politikë shqiptarë.
Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi duke e cilësuar këtë qëndrim diskriminues dhe në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe të Marrëveshjes së Ohrit, e cila garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
“Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj deklaratave skandaloze dhe të papranueshme të kryetarit të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski. Me qëndrimet e tij të djeshme dhe me një seri vendimesh gjatë dy viteve të fundit, ai ka dëshmuar se ky institucion është shndërruar në një mjet politik për të minuar çdo arritje që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Deklaratat e tij për çështjen e projektit “Safe City”, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkohë që mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip, përbëjnë një akt të hapur diskriminimi dhe një shkelje të rëndë të frymës dhe të vetë Kushtetutës së shtetit”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Reagim pati edhe nga ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, i cili rikujtoi se Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut e njeh si gjuhë zyrtare edhe gjuhën që flitet nga të paktën 20 përqind e qytetarëve, duke iu referuar gjuhës shqipe. Ai theksoi se askush nuk ka të drejtë të mohojë apo të interpretojë në mënyrë të njëanshme këtë të drejtë kushtetuese.
“Përveç gjuhës maqedonase, sipas kushtetutës gjuhë zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve, pra gjuha shqipe. Prandaj as kryetari i gjykatës kushtetuese dhe askush tjetër nuk mund ta mohojë këtë të drejtë, as ta interpretojë kushtetutën ashtu siç dëshiron ai. Ne do të bëjmë betejën tonë brenda Qeverisë, brenda Ministrisë së Brendshme”, tha Durmishi në intervistë për Alsat.
VLEN nga ana tjetër thanë se duan ta respektojmë parimin normativ se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen, sidomos jo nga partitë politike, sepse kjo automatikisht mund të interpretohet si presion politik. Megjithatë, shtojnë ata, nuk mund t’i “shmangemi përshtypjes se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese më shumë i ngjan një elite politike jugosllave sesa instancës më të lartë gjyqësore në vend”.
“Përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë themelore e njeriut dhe një nga vlerat themelore të Kushtetutës. Institucionet shtetërore kanë detyrimin ta garantojnë të drejtën e çdo qytetari që të informohet në gjuhën e tij amtare, përfshirë edhe për detyrimet që i lindin si pasojë e veprimeve apo sjelljes së tij. Kjo vlen edhe për sistemin “Safe City”. VLEN ka qenë i qartë dhe mbetet i palëkundur në qëndrimin se kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes këtij sistemi, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por detyrim kushtetues dhe respektim i një të drejte themelore. Pikërisht për këtë, VLEN do ta mbrojë këtë parim me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale, deri në zbatimin e plotë dhe pa asnjë dilemë”, thonë nga VLEN.
Kujtojmë se në Kushtetuese u ngritën katër nisma që kontestojnë ligjshmërinë e sistemit në fjalë, një nga Aleanca për Shqiptarët-Taravari, një tjetër nga Aleanca për Shqiptarët-Sela dhe një nismë tjetër nga Ylli Paçuku, si student i Fakultetit Juridik, që mbështetej nga BDI.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme vendosi që t’i hedhin poshtë të gjitha nismat për kontestimin e sistemit “Safe City”. Kjo nënkupton se sistemi mbetet në fuqi dhe se është në përputhje me Kushtetutën.
tag_katrorimaqedoni_2