Nga thonjtë e duarve deri te jashtëqitja, trupi ynë ka shumë mënyra për të na sinjalizuar kur diçka nuk shkon.
Edhe sperma — lëngu që çlirohet nga trakti riprodhues mashkullor — është një tregues i tillë, pasi ndryshimet në pamje apo aromë mund të japin informacion për shëndetin dhe stilin e jetesës.
Ekspertët e fertilitetit vlerësojnë tregues si numri dhe lëvizshmëria e spermatozoideve (qelizat që mbart lëngu seminal), por ka edhe shenja që mund të vërehen pa vlerësim profesional.
Përveç spermatozoideve — që përbëjnë rreth 5% të sasisë afërsisht sa një lugë çaji që prodhohet në çdo ejakulim — sperma përmban sheqerna, proteina, vitamina dhe minerale. Ajo mund të përmbajë gjithashtu gjurmë gjaku apo patogjenë (si HIV apo Ebola), ndaj çdo ndryshim i pazakontë meriton kontroll mjekësor.
Duhet mbajtur parasysh se jo të gjitha sëmundjet urologjike shfaqen në spermë dhe se disa simptoma mund të jenë kalimtare e jo serioze. Faktorë si duhanpirja, dieta dhe mosha ndikojnë në atë që është “normale” për secilin individ. Njohja e normales personale ndihmon për të dalluar ndryshimet dhe për të kërkuar mendim të dytë kur ka shqetësim.
Për këtë temë, Metro ka konsultuar profesor Geoff Hackett, urolog dhe këshilltar mjekësor pranë Hims, i cili shpjegon se çfarë mund të nënkuptojnë disa karakteristika të spermës.
E tejdukshme ose e bardhë, me strukturë xhelatinoze
Sipas prof. Hackett, sperma e shëndetshme është zakonisht “e bardhë ose gri e çelët”, ndonjëherë me një nuancë të lehtë të verdhë. Ajo mund të duket edhe paksa e tejdukshme, me strukturë xhelatinoze që trashet pas ejakulimit.
Vëllimi normal varion nga 1.5 ml deri në 5 ml dhe mund të ulet me moshën, veçanërisht te burrat pas vazektomisë ose me sëmundje të prostatës.
E verdhë
Një nuancë e lehtë e verdhë është e zakonshme, por një e verdhë më e theksuar mund të lidhet me akumulimin e lipofuscinës nga qelizat e dëmtuara, konsum të tepruar alkooli, infeksione urinare apo dehidratim.
Në raste të rënda, e verdha e fortë mund të shoqërojë verdhëzën nga sëmundjet e mëlçisë. Obstruksioni i fshikëzës ose ejakulimi menjëherë pas urinimit mund ta japë spermën me nuancë të verdhë për shkak të përzierjes me urinë.
Rrallë, e verdha mund të tregojë leukocitospermi (pyospermi), e lidhur me inflamacion, sëmundje autoimune ose IST, ku rritja e qelizave të bardha e ngjyros spermën.
Me nuancë jeshile
Shpesh ka të njëjtat shkaqe si e verdha. Infeksionet seksualisht të transmetueshme, si klamidia dhe gonorreja, mund të ndryshojnë ngjyrën dhe të shoqërohen me erë të pakëndshme.
Vitamina të caktuara, medikamente apo ngjyrues ushqimorë mund të shkaktojnë ndryshime të përkohshme.
Rozë ose e kuqe
Mund të vijë nga aditivë ushqimorë, por shkaku më i shpeshtë është gjaku (hematospermia). Vija të kuqe të freskëta tregojnë gjakderdhje të re, ndërsa ngjyra kafe e errët sugjeron gjakderdhje më të vjetër.
Shkaqet e zakonshme përfshijnë infeksione si prostatiti ose uretriti (ndonjëherë të lidhura me IST). Pas procedurave në prostatë mund të jetë efekt anësor; më rrallë lidhet me tension të lartë apo kancer. Kërkohet vlerësim mjekësor, sidomos nëse ka dhimbje, djegie, kruarje ose skuqje.
E zezë ose kafe e errët
Mund të jetë nga gjak i vjetër i oksiduar, por edhe nga dëmtime të palcës kurrizore, nivele të larta të acidit urik (përdhes), helmime nga metale të rënda (plumb, nikel, platin) apo infeksione parazitare tropikale. Këshillohet kontroll mjekësor për të përjashtuar shkaqe serioze.
Strukturë e trashë
Ndikohet nga shpeshtësia e marrëdhënieve seksuale dhe hidratimi. Dehidratimi ose periudhat e gjata pa ejakulim e bëjnë spermën më të trashë dhe të përqendruar. Nëse është e përkohshme dhe pa simptoma të tjera, zakonisht nuk është shqetësuese.
Strukturë e hollë dhe ujore
Lidhet shpesh me ejakulim më të shpeshtë (seks ose masturbim). Nëse vazhdon ose shoqërohet me simptoma të tjera, kërkohet këshillë mjekësore.
Erë peshku, e kalbur ose shumë e rëndë
Sperma normale është pak alkaline (pH rreth 7.4) dhe ka një erë të lehtë, të krahasueshme me klorin. Era ndryshon nga personi në person, por një aromë e fortë peshku ose e kalbur mund të tregojë infeksione si trikomoniaza apo gonorreja.
Ushqime si shpargu apo hudhra gjithashtu mund të ndryshojnë erën përkohësisht; një rregullim i dietës mund ta normalizojë atë brenda disa ditësh. IST-të shpesh shoqërohen edhe me simptoma të tjera (djegie gjatë urinimit, sekrecione), por jo gjithmonë.
Nëse keni dyshime ose ndryshime të vazhdueshme, kontrolli mjekësor është zgjedhja më e sigurt. /GazetaExpress/