Drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtina, Luan Maloku, ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kryesisë së klubit, duke folur për emërime të paligjshme dhe dyshime për keqmenaxhim financiar.
Sipas Malokut, i gjithë procesi problematik nisi në muajin korrik, kur kryesia e vjetër emëroi në pozitat drejtuese Feriz Zekolli dhe Arsim Sfirça, një vendim që, sipas tij, u cilësua i paligjshëm edhe nga Ministria e Sportit.
“Gjithë ky proces filloi diku në muajin korrik, ku kryesia e vjetër mori një vendim dhe emëroi në pozitën e kryetarit dhe drejtorit gjeneral Feriz Zekollin dhe Arsim Sfirçën. E gjithë kjo rezultoi si emërim i paligjshëm, që erdhi edhe nga Ministria e Sportit”, deklaroi Maloku.
Ai shtoi se reagimi i parë erdhi nga tifozët Plisat, të cilët kërkuan takim me kryesinë e atëhershme të udhëhequr nga Blerand Stavileci, por sipas tij nuk gjetën mirëkuptim.
Maloku theksoi se “Plisat” kishin kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me klubin dhe madje kishin mbështetur rikthimin e Stavilecit në vitin 2022 për të vazhduar sukseset, por pretendon se kërkesat e tyre u injoruan.
Sipas tij, kryesia e vjetër po përpiqej vetëm të fitonte kohë deri në periudhën e sponsorizimeve të dhjetorit. Ai përmendi edhe një kuvend të tensionuar, ku sipas tij u angazhuan mekanizma shtetërorë dhe prani e shtuar e policisë.
Akuza më e rëndë e Malokut lidhet me financat e klubit.
“Me të ardhur në zyrë, ne kemi parë që këtu ka pasur shumë keqpërdorime dhe, kur them se në rast se në një klub derdhen rreth 700 mijë euro, që janë derdhur në nëntor dhe dhjetor, dhe në atë klub kur fillon muaji janar nuk ke asnjë para në konto, kjo është keqmenaxhim, për të mos thënë keqpërdorim, por janë organet kompetente. Është shumë jonormale që 700 mijë euro për 30 ditë të avullojnë”, u shpreh ai.
Maloku nuk përmendi përgjegjësi konkrete individuale, duke theksuar se vlerësimin përfundimtar duhet ta bëjnë organet kompetente.