Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I, i cili ka kanosur gazetarë të dy mediumeve në një gjykatë në Viti.
I pandehuri gjendet në masën e paraburgimit që nga data 03 shkurt 2026.
“Sipas aktakuzës, më datë 30 janar 2026, rreth orës 14:30 minuta, në Gjykatën Themelore në Gjilan-Dega në Viti, i pandehuri A.I, me dashje dhe me qëllim frikësimi i ka kanosur me veprime serioze të dëmtuarit E.C gazetare, D.N kameraman që të dy nga gazeta “Nacionale”, dhe të dëmtuarin F.K gazetar hulumtues i “Betimi për Drejtësi”, për shkak të ushtrimit të detyrës profesionale si gazetar, në atë mënyrë që pas përfundimit të një seance gjyqësore në procedurë civile që ishte duke u zhvilluar në një nga sallat e gjykatës në Viti, derisa të dëmtuarit ishin duke e kryer punën e tyre si gazetar dhe kameraman, i pandehuri ju drejtohet para kamerës dhe kryen veprimin kanosës duke vendosur dorën e tij tek fyti i tij në formë kanosëse, që nënkupton një mesazh të qartë se personi rrezikon jetën ose integritetin trupor, me çka me këto veprime të kundërligjshme tek të dëmtuarit ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me këto veprime, i pandehuri A.I, ka kryer veprën penale Kanosje, nga neni 181 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).