Qeveria e Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka urdhëruar largimin e personelit jo-thelbësor nga ambasada e saj në Bejrut, pas një rishikimi të situatës së sigurisë në rajon.
Lajmi u konfirmua për BBC-në nga një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili tha se vendimi është marrë si masë paraprake për të garantuar sigurinë e personelit diplomatik.
“Ne e vlerësojmë vazhdimisht mjedisin e sigurisë dhe, bazuar në rishikimin e fundit, vendosëm të reduktojmë praninë tonë në personel thelbësor. Ambasada mbetet funksionale dhe kjo është një masë e përkohshme”, deklaroi zyrtari.
Sipas raportimeve, rreth 50 anëtarë të stafit janë urdhëruar të largohen, ndërsa 32 punonjës dhe familjarët e tyre janë larguar nga aeroporti i Bejrutit të hënën.
Vendimi vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes SHBA-ve dhe Iran. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se “gjëra të këqija” do të ndodhin nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje me Uashingtonin për programin e tij bërthamor.
Irani ka reaguar duke paralajmëruar kundërpërgjigje në rast të një sulmi. Udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, ka publikuar mesazhe kërcënuese ndaj forcave amerikane.
SHBA dhe aleatët e saj evropianë dyshojnë se Irani po avancon drejt zhvillimit të një arme bërthamore, pretendim që Teherani e mohon vazhdimisht.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka shtyrë një vizitë të planifikuar në Izrael, pa dhënë një arsye zyrtare.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij po përballet me “ditë komplekse dhe sfiduese” për shkak të përballjes SHBA–Iran, duke theksuar se Izraeli është i përgatitur për çdo skenar.
Pavarësisht raportimeve për përparim në bisedimet e zhvilluara javën e kaluar në Zvicër, SHBA kanë vijuar të forcojë praninë e saj ushtarake pranë Iranit.
Raportohet se aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford është nisur drejt rajonit, ndërsa më herët është identifikuar edhe USS Abraham Lincoln pranë brigjeve të Omanit.
Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në Lindjen e Mesme, ndërsa afati prej 10 ditësh i përmendur nga Trump për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin pritet të skadojë në fund të kësaj jave.