Kryeministri Albin Kurti foli për një “kapitull të ri raportesh” pas një takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Kurti tha pas takimit se ata nuk kanë anëtarë partie që synon të bëhet president, duke folur edhe në emër të PDK-së dhe LDK-së.
“Në njërën anë, ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit me ndonjë emër të përveçëm që kemi thënë se do të jetë kandidati ynë. Pra, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka një anëtar me librezë partie, që synon të bëhet President. Por njësoj vlen për dy partitë e tjera të mëdha e tradicionale, PDK-në dhe LDK-në, që u konfirmua edhe nga takimi i mbrëmshëm që kisha me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën edhe sot me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun”, tha ai.
“Andaj, në vijim, ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë duke përzgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim që e hedhin në kuti më së largu më 4 mars, ose është tjetra, që subjektet politike merren vesh me njëra tjetrën për rrugën përpara”, shtoi Kurti.
Ai tha se “për të pasur sukses zgjedhja e Presidentit, shfaqet e nevojshme që t’i kemi diku 84-85 deputetë, jo 80 ose 81, sepse është rrezik i madh që mungojnë një ose dy dhe s’ia del dot, duhet të shkosh në zgjedhje në prill”.
“Prandaj na duhet një shumicë që i afrohet 85-shit më shumë sesa që ngelet te 80-shi. Kjo do të thotë që nuk është situatë e lehtë. Por në vijim do t’i intensifikojmë bisedimet në mënyrë që ta kemi një zgjidhje për çështjen e Presidentit”, tha ai.
Kurti tha se “nuk do të duhej që edhe në vitin 2026, gjysmën e parë të na e marrin zgjedhjet e reja”.
“Me fjalë të tjera, do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të moszgjedhjes së Presidentit”, tha ai.
I pyetur për emrin e Vjosa Osmanit, Kurti tha se nuk kanë mbledhur nënshkrime për askënd.
“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd, për shkak se edhe nëse ne imbledhim nënshkrimet, ne mund të mbërrijmë në rastin më të mirë teorik te numri 66, i cili është aq larg numrit 80. Nuk e mbërrijmë dot. Prandaj kot ne mund të nxjerrim kandidat”, tha ai.