Numri i të rriturve që përdorin barna me recetë për trajtimin e çrregullimit të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD) në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm vitet e fundit, tregojnë të dhëna të publikuara sot.
Rritja më e theksuar vërehet te gratë adulte, ku përdorimi i këtyre medikamenteve është rritur deri në njëzet herë.
Një studim i ri i udhëhequr nga akademikë të Universitetit të Oksfordit zbulon se përdorimi i medikamenteve për ADHD është më shumë se trefishuar në Britani midis viteve 2010 dhe 2023. Studiuesit analizuan të dhëna elektronike shëndetësore të mbi 198 mijë personave në Belgjikë, Gjermani, Holandë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, përgjatë një periudhe 14-vjeçare.
Gjatë kësaj kohe, përdorimi i barnave për ADHD u rrit në të gjitha vendet e përfshira në studim. Rritja ishte veçanërisht e lartë në Mbretërinë e Bashkuar, ku prevalenca u trefishua, ndërsa në Holandë u dyfishua.
Profesorja Xintong Li, specialiste e shkencës së të dhënave dhe autore kryesore e studimit, tha se rritja ka qenë e vazhdueshme në gjithë Europën, por më e theksuar te të rriturit, sidomos te gratë. Sipas saj, këto rezultate pasqyrojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe diagnostikimit të ADHD-së në moshë adulte, por njëkohësisht ngrenë pyetje të rëndësishme mbi trajtimin afatgjatë dhe nevojat për kujdes shëndetësor.
Rritjet më të mëdha u vunë re te grupmoshat mbi 25 vjeç, ku diferenca mes gjinive është ngushtuar gradualisht me kalimin e kohës. Në Mbretërinë e Bashkuar, prevalenca e përdorimit të medikamenteve për ADHD në këtë grupmoshë u rrit më shumë se njëzet herë te gratë dhe rreth pesëmbëdhjetë herë te burrat.
Duke shkruar në revistën shkencore The Lancet Regional Health, profesori Daniel Prieto-Alhambra, epidemiolog dhe autor i lartë i studimit, theksoi se kuptimi i mënyrës se si këto medikamente përdoren në praktikën klinike është thelbësor për planifikimin e shërbimeve shëndetësore. Ai shtoi se të dhënat ndihmojnë sistemet shëndetësore të parashikojnë kërkesën dhe të ulin rrezikun e mungesave të barnave, si dhe të identifikojnë grupet që kanë nevojë për monitorim më të afërt.
Metilfenidati – i njohur me emra tregtarë si Ritalin, Concerta dhe Delmosart – mbeti medikamenti më i përdorur për ADHD në të gjitha vendet e studiuara. Ndërkohë, stimulantë më të rinj si lisdeksamfetamina shënuan rritje të qëndrueshme në përdorim pas miratimit për treg.
Sipas studiuesve, rritja e përdorimit të medikamenteve te të rriturit reflekton njohjen gjithnjë e më të madhe të ADHD-së si një gjendje që vazhdon gjatë gjithë jetës. Megjithatë, ata paralajmërojnë se vazhdimësia e trajtimit pas fillimit mbetet relativisht e ulët.
Studimi përmend gjithashtu interesin në rritje për ADHD-në në rrjetet sociale, si dhe ndikimin e pandemisë, e cila çoi pothuajse në dyfishim të recetave për këto barna. Pavarësisht kësaj, autorët theksojnë se përdorimi i medikamenteve mbetet dukshëm më i ulët sesa prevalenca e vlerësuar e ADHD-së në popullatë.
Në shkallë globale, ADHD vlerësohet se prek rreth 8 për qind të fëmijëve dhe adoleshentëve dhe rreth 3 për qind të të rriturve. Studiuesit theksojnë se, ndonëse jo të gjithë personat me ADHD kanë nevojë për trajtim farmakologjik, një pjesë e konsiderueshme e tyre mund të mos e marrë atë.
Studimi vëren gjithashtu se shumë persona që përdorin medikamente për ADHD marrin njëkohësisht antidepresivë dhe psikoletikë, barna që kanë efekt qetësues mbi sistemin nervor qendror. Mbi 70 për qind e të rriturve mbi 25 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë kishin marrë recetë për antidepresivë. Gjendje të tjera shoqëruese të shpeshta para fillimit të trajtimit për ADHD përfshinin ankthin dhe astmën. Depresioni dhe ankthi ishin rreth dy herë më të shpeshta te gratë, ndërsa te burrat u vu re prevalencë më e lartë e autizmit.
Autorët përfundojnë se monitorimi i vazhdueshëm i modeleve të përdorimit është i domosdoshëm për të parashikuar kërkesën dhe për të shmangur mungesat e ardhshme të barnave, të cilat kanë qenë problematike që nga shtatori 2023 për shkak të rritjes së kërkesës dhe vështirësive në prodhim.
Lajmi vjen pas njoftimit të Sekretarit britanik të Shëndetësisë, Wes Streeting, i cili në dhjetor të vitit të kaluar shpalli nisjen e një rishikimi të pavarur mbi rritjen e kërkesës për shërbime të shëndetit mendor, ADHD-së dhe autizmit. Ky rishikim pritet të analizojë normat e diagnostikimit dhe boshllëqet në mbështetjen e ofruar.
Sipas të dhënave të NHS, rastet e problemeve të shëndetit mendor dhe ADHD-së janë rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit. Qeveria britanike beson se ka disa prova për mbidiagnostikim, me persona që përfundojnë në lista pritjeje pa pasur realisht nevojë për trajtim.
ADHD është një çrregullim neurozhvillimor, ku lidhjet mes zonave të ndryshme të trurit funksionojnë ndryshe nga ato të personave neurotipikë. Kjo shfaqet me vështirësi në përqendrim, impulsivitet, hiperaktivitet, probleme me gjumin dhe me funksionet ekzekutive, të rëndësishme për planifikimin dhe ndjekjen e udhëzimeve.
Sipas vlerësimeve të NHS Digital, deri në nëntor 2025 rreth 2.5 milionë persona në Angli mendohet se kanë ADHD, përfshirë edhe ata pa diagnozë formale. Këto vlerësime bazohen në të dhënat e Institutit Kombëtar për Shëndet dhe Ekselencë Klinike (NICE), sipas të cilave ADHD prek rreth 4 për qind të të rriturve dhe 5 për qind të fëmijëve dhe të rinjve. /GazetaExpress/