Lëvizja e presidentes të martën për ta mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re ishte “fund e krye politike” dhe “përllogaritje e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit”, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare thotë në një intervistë për Gazetën Express se shefja e shtetit është dashur ta caktojë datën e zgjedhjeve të reja pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike të premten. Veprimi i djeshëm i saj, sipas tij, është abuzim me pushtetin dhe e shkel Kushtetutën e vendit.
“Nëse partitë opozitare, që përfaqësojnë 63 deputetë të Kuvendit të Kosovës, shqiptarë, kanë thënë se nuk duan të formojnë qeverinë e re, atëherë Presidenti i Republikës ka pasur për detyrë caktimin e datës së zgjedhjeve të reja, meqë LVV nuk mund të arrijë votat e duhura, siç e thotë vetë shefi i kësaj partie. Dhënia e mandatit një personi për të cilin dihet se nuk ka vota përbën abuzim me pushtetin dhe shkelje kushtetuese”.
Hasani thotë se presidentja nuk i mori parasysh kriteret mbizotëruese që duhej t’i ndiqte dhe ndoqi bindjet subjektive.
Mandatimi i Konjufcës, sipas tij, u bë “bazuar në përllogaritje politike” të Osmanit, “që vetëm ajo i di”.
INTERVISTA:
Gazeta Express: Si i patë lëvizjet e djeshme në LVV dhe Presidencë për mandatimin e Glauk Konjufcës për krijimin e qeverisë së re?
Hasani: Kjo lëvizje është fund e krye politike, e diktuar nga konsiderata të politikës ditore dhe përllogaritje politike të palëve, zonjës Vjosa Osmani dhe zotit Albin Kurti. Fakti që bëhet në ditën e fundit para skadimit të mandatit flet shumë për natyrën ekskluzivisht politike të këtij veprimi.
Gazeta Express: A mjafton që Presidentja, siç tha, u bind se Konjufca “ka gjasa” që ta bëjë shumicën e nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e qeverisë?
Hasani: Këta tetë muaj e sa kanë qenë muaj të interpretimeve abuzive të Kushtetutës dhe ligjit nga ana e pushtetit aktual. Pas çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese, pushtetarët dhe mbështetësit e tyre të verbër kanë dalë në publik me interpretimet më abuzive të mundshme të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Në këtë kuptim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, kjo periudhë paraqet një mesjetë të llojit të vet. Kjo edhe për faktin se çdo interpretim i secilit prej vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve e deri sot, është shoqëruar me shantazhe e kërcënime ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe ndaj atyre pak intelektualëve të këtij vendi që nuk kanë dashur dhe nuk duan të ndiejnë këmbanat shurdhuese e primitive të pushtetarëve dhe mbështetësve të tyre. Për fat të keq, ka pasur kërcënime edhe nga ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ndaj kolegëve të dikurshëm dhe të tanishëm – diçka që do të mbahet mend në historinë kushtetuese dhe politike të këtij vendi.
Presidenti i Republikës nuk mund të udhëhiqet nga standarde metafizike, por duhet të mbështetet në Kushtetutë, në ligj dhe në vendimet e Gjykatës Kushtetuese që interpretojnë Kushtetutën. Në këtë kuptim, sikundër dihet, ekzistojnë aktgjykime të qarta dhe të sakta që thonë se Presidenti i Republikës, me rastin e mandatimit të dytë, duhet të synojë evitimin e zgjedhjeve duke u bazuar në kritere mbizotëruese. Zonja Osmani ka bërë të kundërtën: ka mandatuar dikë për të cilin vetë shefi i partisë së tij, zoti Albin Kurti, pas mandatimit ka treguar se as në teori nuk ka një marrëveshje me opozitën për votimin e mandatarit të ri. Nëse partitë opozitare, të cilat përfaqësojnë deputetët dhe elektoratin përkatës, thonë se nuk duan të formojnë qeverinë e re, dhe ato përfaqësojnë 63 deputetë të Kuvendit dhe elektoratin e tyre, atëherë ky është kriter mbizotërues. Kjo për faktin se çdo gjë bëhet me marrëveshje politike, të cilën e lidhin liderët e partive të përfaqësuara në Kuvend.
Gazeta Express: A i duhej një mënyrë më konkrete LVV-së për të dëshmuar se mund ta bëjë qeverinë?
Hasani: Ideja e nënshkrimeve ka qenë një marrëzi kushtetuese, e krijuar nga injorantë të ndryshëm gjatë viteve të fundit, duke interpretuar Kushtetutën dhe ligjin sipas dëshirës dhe pa asnjë ekspertizë. Pra, thënë shkurt, përfaqësimi politik i shprehur nga shefat e partive përbën kriter mbizotërues në kuptimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, jo nënshkrimet. Sikur të mblidheshin nënshkrimet që tregojnë votën pro votës për qeverinë e re, atëherë do të cënohej parimi themelor kushtetues mbi lirinë e votës, të shprehjes dhe të mendimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nëse partitë opozitare, që përfaqësojnë 63 deputetë të Kuvendit të Kosovës, shqiptarë, kanë thënë se nuk duan të formojnë qeverinë e re, atëherë Presidenti i Republikës ka pasur për detyrë caktimin e datës së zgjedhjeve të reja, meqë LVV nuk mund të arrijë votat e duhura, siç e thotë vetë shefi i kësaj partie. Dhënia e mandatit një personi për të cilin dihet se nuk ka vota përbën abuzim me pushtetin dhe shkelje kushtetuese.
Siç e kemi parë, këta tetë muaj, shkeljet kushtetuese kanë qenë rutinë: zoti Albin Kurti dhe zonja Vjosa Osmani nuk duan të ndiejnë fare për Kushtetutën dhe ligjin. Zoti Kurti është uzurpues i postit të Kryeministrit të Kosovës, sepse nuk mund të mbajë njëkohësisht postin e deputetit dhe të shefit të ekzekutivit, duke votuar herë në zyrat e Qeverisë së Kosovës e herë në sallën e Kuvendit të Kosovës. Kjo sot mund të duket mirë dhe politikisht e dobishme, por sjell dëm të madh për Kosovën dhe statusin e saj shtetëror në të ardhmen.
Gazeta Express: A është, ashtu siç tha Osmani, se Kushtetuta dhe Gjykata nuk i lënë hapësirë asaj që ta “refuzojë” mandatimin e një kandidati të propozuar?
Hasani: Një qeveri, një ditë, do të detyrohet të nisë ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal të Kosovës, për të futur një dispozitë të qartë penale për veprat që lidhen me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në ato ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal duhet të përfshihet edhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si një vepër e posaçme penale. Pastaj bartësit e pushtetit kosovar le t’i interpretojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese pranë prokurorit të shtetit!
Kështu e kanë standardin Shqipëria dhe disa shtete përreth, si edhe disa vende të tjera evropiane. E them këtë për faktin se kjo është tashmë një domosdoshmëri: gjatë këtyre muajve, Kushtetuta dhe ligji janë stërkequr në përmasa të papara në asnjë vend të Evropës – përveç Rusisë.
Është e qartë për këdo që ka lexuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje se kriteret mbizotëruese që duhet t’i ndjekë Presidenti i Republikës kanë të bëjnë me rrethanat dhe faktet objektive që gjenden jashtë vullnetit të Presidentit të Republikës, jo me bindjet subjektive, politike apo me afinitetet shpirtërore që mund të ketë shefi i shtetit në Kosovë.
Ky kriter mbizotërues është plotësuar ditën kur shefat e partive politike, në takimin e përbashkët, e kanë bërë të qartë përtej çdo dyshimi se nuk kanë ndërmend të marrin mandatin e dytë për formimin e qeverisë, përkundër faktit që ata përfaqësojnë, sipas statuteve të partive të tyre, 63 deputetë të Kuvendit të Kosovës – pra, votat e mjaftueshme për të bërë qeverinë e re. Në këtë kuptim, zonja Osmani nuk ka pasur rrugë tjetër përveç shpalljes së datës së zgjedhjeve të reja, jo të mandatojë dikë për të cilin vetë shefi i partisë së tij thotë se nuk ka as shans teorik për koalicion politik me opozitën. Dhe, siç dihet, koalicionet politike janë thelbësore për arritjen e numrit kushtetues të votave për formimin e ekzekutivit. Kjo qartë tregon se zonja Osmani e ka mandatuar zotin Glauk Konjufca në mënyrë krejtësisht arbitrare, duke u bazuar në përllogaritje politike që vetëm ajo i di, pa asnjë relevancë kushtetuese.
Më lejoni të them për fund se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituar ligjërisht, por është shpallur i tillë në mënyrë arbitrare, dhe këtë e ka pranuar opozita. Kjo është gabim, sepse me këtë pranim në heshtje, opozita ka marrë bashkëpërgjegjësinë për prishjen e rendit kushtetues të Kosovës, duke përjashtuar përfaqësimin politik të serbëve lokal dhe të qytetarëve të këtij vendi.
Kjo rrethanë nuk mund të tolerohet në të ardhmen dhe do të jetë një pengesë serioze për integrimin euro-atlantik të Kosovës, duke sjellë një kosto shumë më të madhe për vendin se sa mendohet sot. Me këtë hap të politikës kosovare, që diskriminon një komunitet në sferën e përfaqësimit politik, sigurisht që tejkalohet dukshëm standardi i pranuar nga zoti Albin Kurti në Ohër më 2013. Ai standard, i njohur tanimë si vetëmenaxhim (autonomi) për serbët lokal, do të shërbejë si bazë për shndërrimin e vetëmenaxhimit në një njësi federale brenda Kosovës, si e vetmja garanci për mbrojtjen e përfaqësimit politik të serbëve lokal dhe të drejtave të tyre njerëzore.
Siç e dini, nuk jemi pranuar në Këshillin e Evropës, një tragjedi e llojit të vet për shtetësinë e Kosovës, pikërisht shkaku i eliminimit të përfaqësimit politik të serbëve lokal nga strukturat e shtetit të Kosovës. Refuzimi i antarësimit tonë nga Këshilli i Evropës është vetëm fillimi!
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka quajtur zgjedhjet e mbrëmshme “një mbrëmje interesante”. “Mbrëmë, e dini, nuk pritej të...