Shqipëria pjesë e SEPA-s, prej sot transaksionet financiare me 41 vende të Evropës 5 herë më lirë - Gazeta Express
string(96) "shqiperia-pjese-e-sepa-s-prej-sot-transaksionet-financiare-me-41-vende-te-evropes-5-here-me-lire"

Shqiperi

Gazeta Express

07/10/2025 12:05

Shqipëria pjesë e SEPA-s, prej sot transaksionet financiare me 41 vende të Evropës 5 herë më lirë

Shqiperi

Gazeta Express

07/10/2025 12:05

Qytetarët dhe bizneset në Shqipëri, duke nisur nga kjo e martë, mund të kryejnë transferta në euro drejt vendeve të Bashkimit Europian me komisione shumë më të ulëta dhe sipas të njëjtave rregulla që zbatohen brenda BE-së.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo nismë do të ketë ndikim të menjëhershëm pozitiv për ekonominë dhe konsumatorët në Shqipëri.

“Nga sot, 7 tetor, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE.

Shqipëria është tashmë anëtare e plotë e SEPA-s (Zonës së Pagesave të Vetme në Euro) dhe shqiptarët do të paguajnë Komisione të njëjta me transfertat brenda vendit – sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, vetëm vitin e parë parashikohet një kursim prej rreth 20 milionë euro në vit për qytetarët dhe bizneset shqiptare”, shkruan Rama.

Banka e Shqipërisë konfirmoi se të gjitha bankat shqiptare janë tashmë të gatshme për zbatimin e këtij sistemi.

“Ky është një lajm i madh për qytetarët dhe bizneset shqiptare që përfitojnë shërbime pagesash ndërkufitare me 41 vende të Evropës, në mënyrë më të shpejtë; më të lirë; më të sigurt”, njoftoi BSH-ja.

Sipas BSH-së përfitimet kryesore janë:
Deri në 5 herë më pak kosto për transfertat në euro jashtë Shqipërisë;
Pagesa ndërkombëtare sikur të ishin vendase;
Kartat bankare shqiptare funksionojnë në të gjithë Evropën;
Komisione të unifikuara dhe të ulëta;
Më shumë lehtësi për bizneset, udhëtimet dhe jetën e përditshme.

SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro) është një iniciativë e Bashkimit Evropian që lejon konsumatorët, bizneset dhe administratat publike të bëjnë dhe të marrin pagesa në euro, brenda dhe jashtë kufijve, me të njëjtat kushte si pagesat kombëtare.

Shqipëria, duke u bërë pjesë e SEPA-s, i bashkohet 41 vendeve të tjera evropiane, përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së, duke përfituar nga një treg i përbashkët financiar modern dhe efikas.