Mitet që na i kanë shitur si të vërteta - Gazeta Express
string(39) "mitet-qe-na-i-kane-shitur-si-te-verteta"

OP/ED

Gazeta Express

19/09/2025 15:00

Mitet që na i kanë shitur si të vërteta

OP/ED

Gazeta Express

19/09/2025 15:00

Për të ndërtuar një të ardhme të lirë, kosovarët duhet të heqin dorë nga e kaluara e fabrikuar. Sepse derisa historia të jetë peng i miteve, e ardhmja do të mbetet peng i korrupsionit. Dhe atëherë, siç thoshte Orwell, liria nuk është gjë tjetër veçse e drejta për të thënë se dy plus dy bëjnë katër, edhe atëherë kur pushteti na bind se bëjnë pesë

Fadil Sahiti

Në Kosovë, prej vitit 1999, historia ka qenë e shkrirë me politikën, dhe politika me pushtetin. E kaluara është rishkruar çdo ditë, për t’iu përshtatur nevojave të elitës sunduese. Çdo vepër, çdo sakrificë, çdo gjak i derdhur është vendosur në një narrativë të vetme: se gjithçka filloi e mbaroi me UÇK-në. Qytetarët u mësuan ta pranojnë këtë si dogmë. Kush guxonte të vinte në dyshim këtë version, shpallej tradhtar, renegat, ose më së paku, njeri që nuk respekton gjakun e dëshmorëve. Në këtë mënyrë, e vërteta u bë armik i rrezikshëm, një armik që duhej mbytur në heshtje.

Dëshmitë e Rubin dhe Williams e çajnë këtë heshtje. Ata nuk folën si pjesë e një opozite politike në Kosovë, as si gazetarë të përndjekur. Folën si dëshmitarë ndërkombëtarë, që nuk kanë nevojë të ruajnë as mitet tona, as iluzionet tona. Në këtë kuptim, fjalët e tyre nuk janë vetëm pjesë e një procesi gjyqësor, por një sfidë ndaj një historie të falsifikuar. Deklaratat e tyre, në shikim të parë, mund të duken si përpjekje për të zbutur përgjegjësinë e të akuzuarve. Por paradoksi qëndron këtu: duke tentuar të mbrojnë, ata në fakt kanë thënë të vërtetën. Të vërtetën që është ruajtur në heshtje, të vërtetën që është përmbysur nga propaganda, të vërtetën që është zëvendësuar nga një narrativë e gatuar me gjysmëfakte dhe glorifikime.

Mitizimi i UÇK-së ka qenë mjeti më i fuqishëm i elitave politike që kanë mbijetuar në pushtet përmes saj. Ata e kanë ngritur luftën në shkallën e një feje, ku komandantët janë shenjtorë, dhe çdo kritikë është herezi. Në këtë religjion politik, e kaluara është e paprekshme, e tashmja është e kontrolluar dhe e ardhmja është e mbytur nga korrupsioni dhe nepotizmi. Njerëzit janë edukuar të besojnë se lirinë e sollën disa individë të armatosur, jo avionët e NATO-s që bombarduan Beogradin, jo rezistenca paqësore që e bëri të pamundur justifikimin e dhunës serbe, jo presioni ndërkombëtar që e shtyu Millosheviqin në qoshe. Ky është përkufizimi i plotë i asaj që nënkupton kontrolli i së kaluarës për të sunduar mbi të tashmen.

Këto mite janë ushqyer përditë me simbole. Çdo qytet ka një shesh të pagëzuar me emra komandantësh, çdo fshat një bust, çdo shkollë një murale që e shndërron luftën në një legjendë të paprekshme. Në media, kronikat e përvjetorëve rrëfejnë të njëjtën histori të shabllonizuar, duke përsëritur mesazhin se gjithçka që kemi, na është dhënë nga një grusht burrash të armatosur. E ndërkohë, këta burra, të kthyer në politikanë, kanë ndërtuar perandori ekonomike mbi rrënojat e pasluftës. Ata e kanë përdorur gjakun e dëshmorëve si çelës për tenderë, monopole, pushtet dhe kontroll mbi çdo segment të shoqërisë.

Por çfarë ndodh kur miti fillon të plasaritet? Kur e vërteta del në sipërfaqe jo si opinion i brendshëm, por si dëshmi në një gjykatë ndërkombëtare? Aty fillon frika e elitave. Sepse pa mitin e çlirimit, pushteti i tyre bie në pwrtokë. Pa narrativën e sakrificës absolute, mbetet vetëm realiteti i zhveshur i korrupsionit, i pasurimit të paligjshëm, i shtypjes së qytetarëve. Pa “lavdinë e luftës”, mbetet dështimi i paqes.

Mjafton të kujtojmë vitet e pasluftës, kur çdo kritikë ndaj keqqeverisjes përdridhej në një kërcënim të hapur: “Ne e sollëm lirinë, kush jeni ju të na e merrni?”. Ky refren u bë mburojë ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies. Kështu, çdo skandal – nga privatizimet e dyshimta, tek kapja e gjyqësorit e deri tek krimi i organizuar – u mbështoll me një flamur kuqezi për të heshtur çdo zë kundërshtues. Dhe ky mekanizëm ende funksionon.

Në Kosovë, për 25 vjet, kemi jetuar me një realitet të përmbysur. E vërteta është zëvendësuar: ata që na kanë sunduar si “çlirimtarë”, janë po ata që e kanë grabitur shtetin; ata që na kanë folur për “nderin e luftës”, janë po ata që e kanë shitur lirinë për interesa personale. Dhe në këtë përmbysje, qytetari i zakonshëm ka humbur aftësinë për të dalluar realen nga iluzioni. Shumë e kanë pranuar këtë si fat të pashmangshëm, duke u mjaftuar me rrëfimin që u është dhënë.

Por dëshmitë e Rubin dhe Williams mund të jenë një moment kthese. Jo sepse do të ndryshojnë menjëherë narrativën, por sepse tregojnë se e vërteta është më e fortë se propaganda. Ata, ndoshta pa e ditur, i kanë vënë pasqyrën një shoqërie që ka jetuar me iluzione. Dhe pasqyra nuk fal: ajo tregon ashtu siç është, jo ashtu siç do të donim të dukej.

Sot, Kosova është një vend i lirë, por ende jo i çliruar nga mitet. Ende rob i një historie të rishkruar, i një elite që e ka përdorur luftën si kapital politik. Nëse duam të flasim për çlirim të vërtetë, ai nuk mund të vijë nga armët, as nga tribunat politike që recitojnë slogane. Çlirimi i vërtetë vjen nga e vërteta. Dhe e vërteta është se lirinë nuk na e sollën ata që e quajtën veten çlirimtarë, por rrethanat e një bote që nuk pranoi më krimin. Çlirimi i vërtetë do të vijë vetëm kur të guxojmë të përballemi me këtë fakt, dhe ta pranojmë se historia nuk është pronë private e askujt.

Për të ndërtuar një të ardhme të lirë, kosovarët duhet të heqin dorë nga e kaluara e fabrikuar. Sepse derisa historia të jetë peng i miteve, e ardhmja do të mbetet peng i korrupsionit. Dhe atëherë, siç thoshte Orwell, liria nuk është gjë tjetër veçse e drejta për të thënë se dy plus dy bëjnë katër, edhe atëherë kur pushteti na bind se bëjnë pesë.