Kandidati i PDK-së për Lipjanin, Shukri Buja, njofton se sot është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dega në Lipjan dhe Partisë Ashkalinjëve për Integrim (PAI).
Buja informon se “me këtë marrëveshje, PAI vendos që në zgjedhjet lokale të vitit 2025 të mos garojë me listë të veçantë për Kuvendin Komunal, por të mbështesë kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Lipjanit”.
“PDK dhe unë personalisht marrim përsipër që gjatë mandatit qeverisës katërvjeçar të përfshijmë projektet dhe prioritetet e komunitetit ashkali në të gjitha fushat e kompetencave komunale, si dhe të sigurojmë përfaqësim të drejtë institucional. Ky bashkëpunim është garanci për një Lipjan më gjithëpërfshirës, ku çdo komunitet ka zërin dhe vendin e tij në zhvillimin e përbashkët të komunës sonë”, deklaron Buja.