Starton legjislatura e re në Kuvend: Vëmendje për deputetët debutues dhe tensione në fund të seancës
Kjo e premte, më 12 shtator, shënoi nisjen e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Shqipërisë, me praninë e plotë të 140 deputetëve të rinj. Ndër ta, 72 ligjvënës u ulën për herë të parë në sallën plenare, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Mes pamjeve të publikuara nga LSA, spikatën disa deputete të reja që morën vëmendjen për stilin e tyre. Sara Mile u shfaq me një shall të veçantë, ku ishin “pikturuar” sharjet që kishte marrë gjatë fushatës, duke e kthyer në simbol qëndrese personale. Marjana Koçeku, një tjetër emër i komentuar, u pa me një model të ri flokësh. Ndërkohë, ndryshe nga shumë kolege që kishin zgjedhur kostume serioze, Iris Luarasi preferoi një veshje më të thjeshtë, me këmishë. Demokrati Bardh Spahia ka mbërritur në Kuvend, por ajo që u vu re ishte dëmtimi i tij në këmbë, po ecte me vështirësi, nën ndihmën e patericave.
Kjo seancë tërhoqi vëmendje edhe për rikthimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili këtë herë nuk qëndroi në vendin e zakonshëm të qeverisë, por u ul mes deputetëve të PS-së. Për koincidencë, ai ndodhej pranë Sali Berishës, dhe kamerat kanë kapur një moment kur Rama e vëzhgonte gjatë.