Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Relations Council-AARC) që drejtohet nga aktivisti Martin Vulaj ka reaguar ashpër pas incidenteve të fundit me thirrje anti-shqiptare si dhe mesazhe urrejtëse e ndarëse në ndeshjet sportive në Maqedoni të Veriut. Sipas AARC, incidenti i ndodhur ne RMV, paralajmëron se kjo spirale urrejtjeje rrezikon të destabilizojë Maqedoninë e Veriut.
AARC në reagim shkruan se parimi i një Maqedonie të Veriut me shumë etni duhet të ruhet.
“Gjatë konfliktit, shqiptarët refuzuan ofertën për të ndarë Maqedoninë sipas vijave etnike, duke zgjedhur në vend të kësaj një të ardhme të përbashkët evropiane. Po ky parim duhet të vazhdojë të udhëheqë kombin përpara”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Në javët e fundit, është vërejtur një rritje shqetësuese e incidenteve në ngjarjet sportive në Maqedoninë e Veriut që nxisin urrejtje dhe përçarje etnike. Në një ndeshje basketbolli mes Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut në Kumanovë, tifozët brohoritën slogane të tmerrshme duke thirrur për vdekjen e shqiptarëve dhe zhdukjen e tyre në dhoma gazi. Në përgjigje, disa tifozë shqiptarë në një ndeshje futbolli në Tetovë shfaqën pankarta që bënin thirrje për shkëputje.
Kjo spirale e rrezikshme duhet ndalur menjëherë. Udhëheqësit politikë nga të gjitha komunitetet duhet të veprojnë me vendosmëri për të dënuar dhe parandaluar shfaqje të tilla urrejtjeje, para se ato të destabilizojnë më tej vendin.
Brohoritjet anti-shqiptare përforcuan në mënyrë të dhimbshme perceptimin e kahershëm të shqiptarëve se trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe si të huaj në atdheun e tyre. Nga ana tjetër, mesazhet për shkëputje nxiten frikë te maqedonasit sllavë për qëllimet e shqiptarëve dhe për unitetin e ardhshëm të shtetit.
Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në vitin 2001, Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të dukshëm drejt integrimit dhe bashkëjetesës etnike. Megjithëse sfida mbeten, shqiptarët janë zhvendosur nga margjinat drejt pjesëmarrjes aktive në institucionet politike, ekonomike dhe akademike. Ky përparim nuk duhet të prishet.
Megjithëse dënimi i qeverisë për gjuhën e urrejtjes erdhi me vonesë, ai ishte i qartë. Tani, edhe liderët shqiptarë duhet të dënojnë pa mëdyshje çdo retorikë që minon integritetin territorial të vendit.
Gjatë konfliktit, shqiptarët refuzuan ofertën për të ndarë Maqedoninë sipas vijave etnike, duke zgjedhur në vend të kësaj një të ardhme të përbashkët evropiane. Po ky parim duhet të vazhdojë të udhëheqë kombin përpara. Të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të eliminuar retorikën me bazë etnike dhe për të parandaluar kthimin në kapitujt e errët të së kaluarës. Vetëm përmes unitetit, respektit dhe lidershipit, Maqedonia e Veriut mund të mbetet në rrugën drejt paqes së qëndrueshme dhe integrimit evropian.