Emisarë të Perëndimit zbarkojnë në Kosovë, kërkohet urgjentisht formimi i institucioneve - Gazeta Express
string(87) "emisare-te-perendimit-zbarkojne-ne-kosove-kerkohet-urgjentisht-formimi-i-institucioneve"

Lajme

Gazeta Express

15/07/2025 22:20

Emisarë të Perëndimit zbarkojnë në Kosovë, kërkohet urgjentisht formimi i institucioneve

Lajme

Gazeta Express

15/07/2025 22:20

Më shumë se pesë muaj kanë kaluar që nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe krijimi i institucioneve të reja në Kosovë është bllokuar për shkak të mosarritjes së konstituimit të Kuvendit nga vetë deputetët. Ky rast i paprecedentë e gjeti Kosovën pa një ambasador amerikan në Prishtinë dhe me një vëmendje të munguar nga ndërkombëtarët për të shtyrë drejt daljes nga ngërçi kastën politike kosovare. Vizitat e zyrtarëve të lartë të huaj munguan qe një kohë, por së fundi u kthyen me ftesa për liderët politikë në rezidencat e tyre diplomatike në Prishtinë.

Gazeta Express

Fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shtunën u ftua në rezidencën e ambasadës amerikane në Kosovë për t’u takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Europiane, Brendan Hanrahan, i cili erdhi në Kosovë në kuadër të një vizite zyrtare në disa nga vendet e rajonit.

Vizita e tij ishte e para në Kosovë prej një zyrtari të lartë që kur erdhi në pushtet Administrata Trump.

Për takimin me të, Zyra e Kryeministrit lëshoi një deklaratë në të cilën shumë pak u përmend kriza politike në vend, ndërsa Kurti kishte folur si një kryeministër me legjitimitet të plotë.

“Gjatë darkës, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në fushën e investimeve, të diplomacisë e të mbrojtjes, si dhe progresin e Republikës së Kosovës në integrimin e saj euro-atlantik. Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin dhe forcimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Ndërkaq, ngërçi në Kuvend u përmblodh si “zhvillimet aktuale politike”, pa dhënë asnjë detaj tjetër rreth bisedës së zhvilluar për këtë çështje.

“Zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, ishin po ashtu pjesë e diskutimit në takim”.

Në darkën  e shtruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, Kurti shkoi bashkë me ministrat në detyrë, Artane Rizvanolli dhe Nenad Rashiq.

Amerikanët në njoftimin për media ku e bënë përmbledhjen e vizitës thansë se Hanrahan pati takime konstruktive me qeveritarët dhe opozitarët.

Dy ditë pas, Kurtit iu desh të shkojë edhe në rezidencën e ambasadës britanike në Kosovë.

Aty u shtrua një darkë pune meqë për vizitë kishte ardhur e Dërguara e Posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, e cila po e viziton Kosovën për të dytën herë.

Pierce la mesazh të qartë – kërkoi formimin urgjent të qeverisë dhe përmbushjen e premtimit për një shtet shumetnik bashkë me angazhumin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Zyra e Kryeministrit ndoqi të njëjtin diskurs në kumtimin për takimin e tyre, por këtë herë duke mos e përmendur fare nëse është diskutuar tema për bllokadën në Kuvend.

“Kryeministri Kurti dhe emisarja Pierce diskutuan së bashku mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë për zgjerim të bashkëpunimit duke përfshirë fusha të ndryshme, nga industria kreative dhe diplomacia deri te mbrojtja e siguria. Në përgatitjet për mbajtjen e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit i cili do të zhvillohet në tetorin e këtij viti në Londër, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe rëndësinë e njohjes reciproke të diplomave dhe lëvizjes së lirë, si jetike për suksesin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planin e Rritjes”, tha ZKM.

Dy zyrtarët e lartë nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar takuan edhe krerët e partive të tjera.

Amerikani Hanrahan të gjitha takimet i organizoi në ambasadë.

Në komunikatat e lëshuara nga këta liderë për diskutimet e takimeve ngërçi i Kuvendit ishte më prezent.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ka theksuar zotimin e partisë së tij për funksionalitet institucional, ndërsa SHBA-në e quajti “aleati ynë më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm”.

“Diskutova për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon. Ritheksova përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve. Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë”.

Nga LDK në ambasadën amerikane kishte shkuar nënkryetarja e kësaj partie Hykmete Bajrami, e cila tha se në takim ka ndarë shqetësimin për “krizën e thellë institucionale që po e paralizon vendin”.

“Shpreha qëndrimin e LDK-së se Kosova ka nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike, jo për tentime të njëanshme nga një parti që nuk ka shumicë. Theksova se LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare. LDK qëndron në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe mbi të gjitha i shërbejnë interesit shtetëror. Ndava propozimin e LDK-së për një qeveri kalimtare, që do të mundësonte tejkalimin e bllokadës dhe kthimin e vendit në normalitet institucional deri në zgjedhjen e  presidentit në mars të vitit  2026, si dhe shpreha gatishmërinë e LDK-së për të diskutuar edhe modele të tjera gjithëpërfshirëse që sjellin stabilitet”.

Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në takim me Hanrahan tha se e ka theksuar  rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me SHBA-në, si dhe nevojën për të thelluar partneritetin në fushën e sigurisë.

“Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim të plotë në NATO, dhe mbështetja e SHBA-së është tepër e rëndësishme për këtë rrugë. Aleanca jonë më Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme, ndërsa përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”.

Ndryshe nga amerikane, emisarja britanike te partitë tjera vendosi të shkojë te zyrat e tyre ku foli për ngërçin.

Krasniqi i PDK-së tha se fokus të veçantë i kushtoi krizës institucionale “që po e dëmton vendin, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar”.

“E njoftova me qëndrimet dhe përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate, përmes respektimit të Kushtetutës”.

Në LDK britaniken e priti vetë kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili po ashtu tha se theks të veçantë i dha krizës institucionale që “po e pengon funksionalizimin e institucioneve të Kosovës”.

“Nënvizova domosdoshmërinë urgjente për krijimin e institucioneve legjitime dhe funksionale, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë”.

Ngjashëm tha se foli me Pierce edhe Haradinaj.

“Sot, në takim me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, diskutuam për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevojën urgjente të konsolidimit të institucioneve demokratike, si dhe për integrimin euroatlantik”.

E bashkëpartiaku i Haradinajt, Bekë Berisha, ditë më parë për seancën konstituive që s’po përfundon kishte dhënë tezën se mungesa e vëmendjes së ndërkombëtareve ishte arsyeja pse politikanët kosovarë s’po përafronin qëndrimet e tyre për themelim të institucioneve.

“Siç duket neve na kanë nejtë gati qeto ambasada, sepse ne si politikanë nuk kemi mujtë me iu dhanë orientim momenteve politike, por veç na kanë nejtë gati”.