Pavarësisht protestës së banorëve të Thethit një ditë më parë, aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje nuk është ndalur. Fadromat e IKMT janë rikthyer në zonë që në orët e para të mëngjesit të sotëm, duke vijuar me shembjen e ndërtesave.
Edhe këtë herë, policia është përballur me rezistencën e banorëve. Gjatë një debati verbal, një prej grave ka humbur ndjenjat dhe ka marrë ndihmë mjekësore. Banorët vazhdojnë të kundërshtojnë aksionin, duke kërkuar dialog dhe transparencë.
Sipas autoriteteve, janë rreth 40 objekte pa leje që pritet të prishen në këtë fazë të aksionit.
Ndërkohë, gjatë natës, një zjarr i madh përfshiu restorantin e një bujtine në qendër të Thethit. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, pasi familjarët dhe turistët u evakuuan në kohë.
Pronarja e restorantit, Aida Gjeçaj, thotë se nuk ka konflikte me askënd, por ngjarja i duket e dyshimtë. Ajo shpreh shqetësimin se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, sidomos duke pasur parasysh përkimin me aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Zjarri u shua pas përpjekjeve të banorëve dhe zjarrfikësve. Policia dhe grupi hetimor janë ende në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.