Të prangosur, pesë zyrtarët policorë të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan në natën mes 6 dhe 7 korrikut, u sollën në gjykatë, raporton nga atje gazetarja e T7, Blerta Zuka.
Seanca dëgjimore ku pritet të caktohet masa e paraburgimit ndaj tyre pritet të fillojë dhe jashtë gjykatës po qëndrojnë një numër i madh i mediave.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga 30 ditë paraburgim për pesë zyrtarët policorë.
Agon Zejnullahu vdiq me pranga në duar në orët e para të së hënës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Zyrtarët policorë, që u prangosën vetë në mbrëmje, u tha se kishin intervenuar për ta neutralizuar Agon Zejnullahun pasi ai “dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë”, sipas Policisë.
Një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë të përfshirë në këtë rast u arrestuan të hënën nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa rasti u cilësua si “vrasje nga pakujdesia”.
Pamje të rënda, të siguruara dhe të transmetuara mbrëmë në Pressing në T7 tregojnë policët duke i përdorur edhe gjunjtë për ta neutralizuar të riun.
Disa pamje të tjera, megjithëse të pakontekstualizuara, tregonin të riun që nxirrej nga një veturë dhe shtrihej në asfalt, me të paktën tre zyrtarë policorë mbi të që po përpiqeshin t’ia lidhnin duart.
Në videon e siguruar nga T7, policët shihen teksa përpiqen ta çojnë në këmbë 27-vjeçarin, ndërsa njëri prej tyre i hedh ujë në fytyrë, si për t’i dalë në ndihmë një një mënyrë amatore, vetëm pasi ai s’po reagonte më.