Liverpooli është rikthyer sot në përgatitjet për sezonin e ri pas vdekjes zemërthyese të Diogo Jotas.
Futbollistët “Reds” u rikthyen sot në “AXA Training Centre”, ndërsa shihej se ishin ende të prekur nga kjo tragjedi.
Ylli portugez, i cili e kishte veshur fanellën me numrin 20 në pesë sezonet e fundit, e kishte ndihmuar Liverpoolin që ta fitonte titullin në Premierligë vetëm tre muaj më parë, njoftojnë mediat britanike, përcjell “Gazeta Express”.
Ai vdiq në një aksident tragjik me veturë më 3 korrik së bashku me vëllain e tij, Andre Silva.
Rrugëtimi i tyre për t’u rikthyer në Angli u ndal në gjysmë pas përplasjes vdekjeprurëse në Spanjë.
Ekipi anglez kishte planifikuar t’i niste përgatitjet të premten e kaluar, por tragjedia bëri që të merrej një vendim kolektiv për shtyrjen e stërvitjeve.
Arne Slot, i cili do ta nisë sezonin e dytë në krye të Liverpoolit, kishte udhëtuar drejt qytetit Gondomar në Portugali me disa prej lojtarëve të ekipit të parë për të marrë pjesë në funeralin e ish-lojtarit të tij të shtunën paradite.
Këtë javë, grupi i parë i lojtarëve që u rikthye në Kirkby i përfshiu Mohamed Salah, Andy Robertson e Conor Bradley.
Lojtarët e Liverpoolit do të mundohen t’i shtrëngojnë dhëmbët dhe ta marrin veten para sezonit të vështirë që i pret.
Ndeshja e parë e tyre parasezonale pritet të jetë ajo e së dielës së 13 korrikut kundër Perston North Ende, ndonëse nuk është marrë ende vendimi final nëse do të luhet ndeshja. /Gazeta Express