Zbardhen detaje të reja nga ngjarja që ndodhi në mesnatë në fshatin Krastë të Fushë Krujës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një hoteli dhe lokali, në pronësi të Mondi Vogës, që rezulton të ketë qenë shofer i ish-prokurorit Arjan Ndoja. Në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja.
Mondi Voga, ish-shoferi Arjan Ndojës, ka kallëzuar në Policinë e Tiranës se rreth orës 01:10 është qëlluar me armë në drejtim të lokalit të tij në fshatin Krastë.
Autorët kanë qëlluar nga ana tjetër e rrugës, përballë lokalit, pasi nga kqyrja e kamerave të sigurisë nuk duken as autorët dhe as një automjet me të cilin mund të kenë lëvizur autorët, gjithmonë sipas të dhënave paraprake.
Si pasojë e të shtënave ka pasur vetëm dëme materiale. Voga është një emër i njohur për drejtësinë për disa episode.
Pista e parë që dyshohet mund të lidhet me hakmarrje ose një paralajmërim. Por ende nuk ka asgjë zyrtare.