Pozicionet evropiane për sezonin 2025/26 në La Liga janë zyrtarizuar, dhe një nga ngjarjet më të veçanta është rikthimi historik i Rayo Vallecano-s në garat evropiane për herë të parë që nga viti 2001.
Vendet për Ligën e Kampionëve ishin përcaktuar tashmë, pasi pesë skuadrat e para në tabelë i kishin siguruar ato. Kjo bëri që gara për të zënë vendet e mbetura evropiane – pranë Real Betisit – të zgjatej deri në javën e fundit, me Rayo Vallecanon, Celta Vigon dhe Osasunën që luftonin për to.
Triumfi i Barcelonës në Kupën e Mbretit bëri që vendi i shtatë të çonte në Ligën e Europës (bashkë me vendin e gjashtë), ndërsa vendi i tetë do të siguronte pjesëmarrje në Ligën e Konferencës.
Në një natë me emocione të mëdha në stadiumin Vallecas, Rayo arriti të siguronte vendin e tetë pas një barazimi 0-0 ndaj Mallorcës – duke sjellë për herë të parë që nga viti 2001 futboll evropian në lagjen punëtore të Madridit.
Tensioni ishte i pranishëm gjatë gjithë ndeshjes, me Alvaro Garcia dhe Unai Lopez që patën raste të mira për të zhbllokuar rezultatin para pushimit. Por edhe në pjesën e dytë, Rayo nuk arriti të konkretizonte, teksa tifozët prisnin me ankth në tribunë. Megjithatë, barazimi ishte i mjaftueshëm për festë – Rayo do të luajë në Europë pas më shumë se dy dekadash.
Nga ana tjetër, Celta Vigo pati një sfidë të vështirë jashtë fushe ndaj Getafes. Skuadra galiciane e pa veten në disavantazh pas golit të hershëm të Borja Mayoralit, por reagoi shpejt përmes Borja Iglesias që barazoi. Në fund, ishte legjenda e klubit, Iago Aspas, që shënoi golin e fitores 2-1 dhe siguroi kthimin e Celtës në Ligën e Europës – për herë të parë që nga sezoni 2016/17, kur arritën deri në gjysmëfinale.
Ndërkohë, skuadra që doli e humbura nga kjo garë ishte Osasuna, që përfundoi sezonin në vendin e nëntë pas një barazimi ndaj Alavesit – duke mbetur jashtë Evropës për këtë herë.