Libri “Shtëpia pa pasqyrë” nga autorja Majlinda Bregasi do të promovohet më 16 prill, ditën e mërkurë, në orën 19:00, në librarinë “Dukagjini”.
Për të diskutuar rreth librit, në panel do të jenë:
Majlinda Bregasi, autore e librit;
Albulena Blakaj, redaktore letrare e librit;
Latif Mustafa, studiues i filozofisë.
Rreth librit:
“Shtëpia pa pasqyrë” sjell histori njerëzish me fëmijëri të grabitur. Përmes tri linjave rrëfimtare, lexuesi udhëton nëpër hendekët e fatit të individëve që janë vetëm pasojë e historisë së popullit të tyre.
Një shtëpi ku mungojnë pasqyrat, ku reflektimi bëhet i pamundur, shndërrohet në metaforë universale që ngacmon lexuesin t’i përgjigjet pyetjes thelbësore: A je ky njeriu që doje të ishe?
Ky roman prekës dhe befasues është një eksplorim i thellë i kujtesës kolektive të një populli të cilit historikisht i është kërcënuar ekzistenca. Vepra ofron një reflektim mbi mundësinë për ripërtëritje në një shtëpi që, edhe pse e zhveshur nga pasqyrat, mbi kokën e fëmijëve që luajnë pa lodra, ka gjithmonë një dritare.
Rreth autores:
Majlinda Bregasi është shkrimtare e afirmuar, gjuhëtare dhe profesore e gjuhës italiane dhe latine në “Universitetin e Prishtinës”, ku aktualisht mban pozitën e drejtores së Institutit të Gjuhës dhe Kulturës Italiane. Si romanciere, ajo është nderuar me çmimin prestigjioz për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” dhe është nominuar për Çmimin Evropian për Letërsi, duke dëshmuar vlerën e veçantë të krijimtarisë së saj letrare. E specializuar në analizën e konversacionit dhe diskursit politik, Dr. Bregasi zotëron ekspertizë të thellë në fushën e guhësisë, të letërsisë dhe të didaktikës së gjuhëve klasike dhe moderne, si dhe në përkthim e interpretim. Bregasi është afirmuar edhe si gazetare dhe videogazetare e talentuar me një numër të konsiderueshëm dokumentarësh, duke dhënë një kontribut të çmuar dhe të qëndrueshëm në peizazhin akademik dhe kulturor të Kosovës. Në romanin e saj më të ri “Shtëpia pa Pasqyrë”, ajo shpalos gjithë thellësinë e njohurive të saj gjuhësore dhe kulturore, duke krijuar një vepër që reflekton talentin e saj shumëdimensional.