Partia Socialiste ka fituar 7- 0 në Qarkun e Elbasanit. Edhe pse demokratët ishin të bindur për një fitore me Luçiano Boçin, sërish nuk ia dolën.
Bëhet e ditur se nga 224 kuti votimi gjithsej ku rezultati është pasqyruar, Llatja ka marrë 56.06% të votave përkundrejt 43.94% të rivalit të tij Luçiano Boçi. Ky i fundit ka marrë 27683 vota, e ndërsa Gledjan Llatja 35575 vota.
Ndërkohë në Cërrik, socialisti Andis Salla ka fituar me 8444 vota. E ndërsa kandidati opozitar i koalicionit Bashkë Fitojmë, Servet Duzha ka marrë 3416 vota.
Në Librazhd gjithashtu, PS ka fituar bindshëm përballë koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Mariglen Disha ka marrë 10364, e ndërsa kundërshtari i tij, Shefki Çota ka marrë 3557, duke humbur me një diferencë prej gati 7000 votash.
Bukurosh Maçi në Peqin nga PS ka fituar përballë Mustafa Pashjas nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Në përfundim të procesit të numërimit të votave, Maçi ka marrë 6400 vota e ndërsa Pashja 4677 vota.
Po ashtu edhe në Gramsh socialistët janë shpallur fitues. Besion Ajazi numëron 6263 vota, e ndërsa kundërshtari i tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Hasim Çekrezi, 5629 vota.
Edhe Belshi nuk bën përjashtim nga Bashkitë e tjera të qarkut ku edhe ai është “veshur rozë”. Kandidati socialist, Arif Tafani ka fituar me 4536 vota e ndërsa Bedri Qypi mori 4495 vota.
Prrenjasi gjithashtu shpalli fitoren e Partise Socialiste. Nuri Belba ia doli që të mundtte Suzana Topin nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Kandidati i PS mori 6733 vota, ndërsa kandidati i koalicionit Berisha-Meta mori 4040 vota.
/Gazeta Express