Epistula e javës: Flaubert për Louise Colet: 4 gusht 1846 - Gazeta Express
string(55) "epistula-e-javes-flaubert-per-louise-colet-4-gusht-1846"

Arte

Gazeta Express

24/03/2023 17:02

Epistula e javës: Flaubert për Louise Colet: 4 gusht 1846

Arte

Gazeta Express

24/03/2023 17:02

Gustave Flaubert (1821 – 1880), konsiderohet mjeshtër i realizmit në letërsinë franceze. Njihet mbi të gjitha për romanin “Zonja Bovari”; është po ashtu autor i romaneve “Edukimi sentimental” dhe “Salambo”. Letërkëmbimet e tij, që përfshijnë vitet 1833-1880,  janë botuar nga Gallimard, në Bibliothèque de la Pléiade, në gjashtë vëllime

E martë mbrëma, mesnatë, 4 gusht 1846

Lexo Edhe:

Një gjysmë dite më parë ishim ende tok: dje, si tani, të mbaja në krahët e mi… a e mban mend? Sa larg më duket! Sonte nata është e ngrohtë dhe e butë: poshtë dritares sime lisi i madh prej erës fërgëllon, unë ngre kokën dhe shoh hënën tek soditet përmbi lumë. Tani që po të shkruaj, papuçet e tua të vogla i kam këtu, para syve, i vështroj. U mbylla brenda dhe krejt i vetmuar sapo rregullova gjithçka të dhuruar prej teje: letrat e tua i kam në çantën e qëndisur, do t’i lexoj përsëri sapo të mbyll letrën time. Nuk desha të këpus nga fletët e mia: ato janë të zbukuruara anash me ngjyrë të zezë: asgjë e trishtuar mos të ardhtë prej meje! Veç gëzim do të desha të të ngjallja dhe me lumturi të patrazuar dhe të pareshtur të të rrethoja, si shpërblesë për gjithçka që me kë falur me dashurinë tënde fisnike. Druaj mos dukem i ftohtë, i akullt, egoist, dhe vetëm Zoti e di se ç’po më ngjet këtë çast. Sa kujtime! Dhe sa ëndje! E sa të bukura qenë ato dy shëtitje tona me pajton, sidomos ajo e dyta nën shkreptima! Sjell ndër mend ngjyrën e pemëve, ndriçuar prej fenerëve, dhe lëkundjet e karrocës: ne qemë vetëm për vetëm, të lumtur. Sodisja pamjen tënde nëpër natë, dhe shihja edhe pse qe errësirë: sytë e tu ndritnin gjithë fytyrën. Më duket se po shkruaj keq. Ti do ta lexosh ftohtë: s’po shkruaj asgjë nga ato që dua të të them. Frazat e mia përpiqen si psherëtima: për t’i kuptuar duhet mbushur ai boshllëk që ndan njërën nga tjetra: do ta besh apo jo? A do të ëndërritësh pas çdo shkronje, pas çdo shenje shkrimi? Si unë, që duke vështruar papuçet e tua bojë kafe, përfytyroj lëvizjet e këmbëve të tua tek i veshin ato…shamia është ende brenda|…|

Nëna më priste të stacioni: ajo qante tek më shihte duke ardhur. Ti qaje tek më shihje duke ikur. Të mjerët ne, s’mund të lëmë një vend pa shkaktuar lot në të dy kahet. Sa grotesk i errët. Këtu gjeta sërish lëndinat e blerta, drurët e lartë dhe ujin që gurron ashtu si kur u nisa. Librat e mi i gjeta të hapur aty ku i lashë: asgjë pikëllon krenarinë tonë. Tek e fundit, le të mos mendojmë as për të ardhmen, as për ne të dy, as për gjë tjetër. Të mendosh: do të thotë të vuash. Le të na marrë era e zemrës sonë, për sa kohë ajo do të ngrejë velat: le të na shtyjë si t’ia ketë ënda dhe sa për pengesat…. punë e madhe! Do ta shohim…

|…|Sapo u ndamë, teksa largohesha, mendimi im fluturonte drejt teje. Ai rendte më shpejt se tymi i lokomotivës që linim pas (krahasim gjithë pasion, falmë që po të shkruaj kaq pak). Hajde tani, shpejt një puthje, e di ti se si, nga ato që thotë Aristoteli, edhe një, edhe një të puthur tjetër, pastaj në gushë, aty ku më pëlqen mua, mbi lekuren tënde të butë, mbi gjoksin tënd, ku zemrën time vë.

Lamtumirë, lamtumirë.

Po të dërgoj gjithë dashurinë time që ti do.

/Marrë nga Gustave Flaubert: Letra dashurie, në përkthim të Adriana Koxhajt, botoi Ideart, Tiranë, 2005

/Gazeta Express