Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias dënon sulmet kibernetike ndaj Gazetës ‘Reporteri’ - Gazeta Express
string(98) "qendra-evropiane-per-liri-te-shtypit-dhe-te-medias-denon-sulmet-kibernetike-ndaj-gazetes-reporteri"

Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias dënon sulmet kibernetike ndaj Gazetës ‘Reporteri’

Lajme

Gazeta Express

12/03/2021 18:09

Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias ka reaguar pas sulmeve kibernetike ndaj Gazetës Online “Reporteri.net”, duke i listuar këto sulme kibernetike në hartën e kësaj platforme për sulmet ndaj Lirisë së Mediave. 

Më 7 dhe 8 Mars 2021, media online “Reporteri.net” u përball me disa sulme të mëdha kibernetike, të cilat rezultuan në mbylljen e platformës për përafërsisht 30 orë, pas së cilës ajo u kthye serish në funksion, thotë raporti i ECPMF-së.

Lexo Edhe:

Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias thekson se sulmet kibernetike ndaj medias kanë ndodhur gjatë periudhës kur Gazeta Online ‘Reporteri.net’ po raportonte rreth dyshimeve për manipulim të rezultatit zgjedhor në Kosovë, skandal në të cilin implikohet edhe ish-Kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla dhe bashkëshorti i saj.

“Rasti u raportua në polici më 8 mars 2021, e cila hapi një hetim mbi rastin bazuar në nenin 339 të Kodit Penal të Kosovës mbi ndërhyrjen në sistemet kompjuterike. Sulmi ndodhi ndërsa Reporteri po raportonte për manipulime të pretenduara të votave ku përfshiheshin ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj dhe burri i saj Dardan Stublla”, thuhet tutje në raport.

“Disa media, përfshirë Reporteri, raportuan se Stublla dyshohet se ka dhënë ryshfet komisionerëve të zgjedhjeve për ta ndihmuar atë të fitojë një vend në Kuvendin e Kosovës. Mediat gjithashtu siguruan një regjistrim të pretenduar të “përgjimit” të një bisede midis Stubllës dhe një komisioneri zgjedhor”, thuhet në reagimin e ECPMF.

“Ne nuk përjashtojmë që sulmi të vinte si rezultat i raporteve të fundit për dyshime për manipulim të votave nga ish-Ministrja e Jashtme”, citohet t’i ketë thënë kësaj ECPMF-së, Bekim Kabashi, drejtori i Gazetës Online ‘Reporteri.net’.

Në Twitterin zyrtar, ECPMF e kanë dënuar këtë sulm kibernetikë ndaj medias kosovare ‘Reporteri.net’.

“Ne dënojmë sulmin kibernetik ndaj medias online Reporteri.net në Kosovë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe të shpejtë nga policia dhe prokurorisë”, thuhet në reagimin e kësaj qendre në Twitter.

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) është një organizatë jofitimprurëse që promovon, dhe mbron të drejtën për një media të lirë dhe lirinë e shprehjes në të gjithë Evropën.

Ajo u themelua në vitin 2015 dhe aktivitetet kryesore të ECPMF janë monitorimi i shkeljeve të lirisë së shtypit dhe medias, avokimi dhe ndihma praktike për gazetarët, të tilla si mbështetja ligjore e shumë të tjera. /Reporteri.net/.