98 pedofilë janë liruar nga burgu në Shqipëri: 4 qytetet më të rrezikuara - Gazeta Express
string(72) "98-pedofile-jane-liruar-nga-burgu-ne-shqiperi-4-qytetet-me-te-rrezikuara"

98 pedofilë janë liruar nga burgu në Shqipëri: 4 qytetet më të rrezikuara

Gazeta Express

05/06/2020 13:27

Të paktën 98 persona që kanë kryer krime seksuale ndaj fëmijëve janë liruar nga burgu. Asnjëri prej tyre nuk është identifikuar nga sistemi i drejtësisë si pedofil dhe nuk kanë marrë ndonjë trajtim mjekësor gjatë ose pas vuajtjes së dënimit në dhjetë vitet e fundit, duke u kthyer në një kërcënim për fëmijët që jetojnë pranë banesave të tyre.

“Medialook.al” bën të ditur se qytetet më të rrezikuara janë Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Korça.

Lexo Edhe:

Shqetësues është fakti që Seksionet e Dhunës në Familje dhe Abuzimit të Fëmijëve në Departamentet Vendore të Policisë në qytetet e rrezikuara nuk kanë më shumë se dy oficerë. Këta të fundit përveç rasteve të tjera, kërkohet të vëzhgojnë edhe grabitqarët seksualë. Në Tiranë, raporti i mbikëqyrjes është dy oficerë për 48 pedofil.

Të dhënat bëhen të ditura nga një hetim i “Albanian Center MediaLook” mbi krimet ndaj fëmijëve nën 14 vjeç për periudhën 2010-2019, përfshirë informacionin dhe vendimet e nxjerra zyrtarisht nga Gjykatat e Qarkut, Prokuroria e Përgjithshme, Departamentet e Policisë etj.

Ky hetim del në përfundimin se sistemi gjyqësor dhe strukturat e tjera shtetërore kanë një qasje të gabuar në trajtimin e kësaj çështje, pasi ato nuk parandalojnë, nuk identifikojnë në kohë dhe nuk përdorin trajtime mjekësore për pedofilët, por ‘presin’ për pasojat dhe kujdesen vetëm për viktimat. Gjykatat dënojnë, por nuk rehabilitojnë grabitqarët seksualë, të cilët priren të përsërisin të njëjtin krim ndaj të miturve.

Prandaj është e rëndësishme firmosja e peticionit ndërmjet të cilit propozohet që lista vendore e emrave të regjistruar si abuzues seksualë të koordinohet nga organet kompetente si Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë dhe të lejojë çdo qytetar të kërkojë të dhënat e dhunimit bazuar në identitetin dhe vendndodhjen e çdokujt. Mbi 35 mijë persona kanë firmosur deri tani.

“Media Look” ka kontaktuar Shërbimin Psikiatrik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe ka konfirmuar zyrtarisht se “numri i pacientëve të trajtuar me vendim gjykate me diagnozën e Pedofilisë për periudhën 2010-2019 është zero”.

Nga vëzhgimi i “Medialook” zbulohet se në 60 raste nga 151 vendime gjyqësore në dhjetë vjet, abuzimi i fëmijëve vjen nga fqinjët dhe miqtë e familjes. Krimet e kryera nga kjo kategori kanë të bëjnë kryesisht me “akte imorale” ndaj fëmijëve në 21 raste, por edhe me marrëdhënie seksuale në 12 raste, 7 prej të cilave kanë përdorur dhunë. Kategoria e dytë ka të bëjë kryesisht me abuzimin seksual që vjen nga brenda familjes me gjithsej 38 krime, 16 prej të cilave janë kryer nga prindi ndaj fëmijës.