95-vjeçari nga Peja më shumë se shtatë dekada punon me dru


load
Gazeta Express
18 Mars 2019 10:53

Ramë Brada apo siç e njeh e gjithë Peja, baca Ramë, pavarësisht moshës, nuk ndalon së punuari atë që di më së miri ta bëjë, krijime të ndryshme nga druri, raporton emisioni #Gjesi në T7.

Adelina Hasani

Është hiç më pak se 95 vjeç, me një bagazh të gjatë mbrapa vetes të punës dhe historive që nuk mbarojnë asnjëherë së treguari në një formë shumë të veçantë nga ai.

Këtë punë, baca Ramë e kishte filluar para më shumë se 75 vjetëve. Edhe pse i ri në moshë, e kishte pasur të qartë se kjo ishte puna që do ta bënte deri në fund të jetës së tij, madje me pasionin dhe dashurinë më të madhe.

Dekada më parë, ky zanat ishte goxha fitimprurës dhe sigurisht edhe puna ka qenë më e madhe. Kjo pasi veprimtaria me kafshët ishte pjesë e shumë familjeve kosovare.

Tani, sipas bacës Ramë, porositë për punën që bën janë shumë më të vogla dhe se ato vijnë vetëm nga disa fshatra që vazhdojnë traditën.

Ai më tej shtoi se ndihet keq që zanatçinjtë kosovarë nuk po vazhdojnë punën që kanë bërë vite më parë dhe për të është edhe më i dhimbshëm fakti që të rinjtë nuk duan të merren me të.

Ka kaluar shumëçka përgjatë gjithë këtyre viteve sa ka jetuar e punuar dhe sigurisht janë të shumta historitë e jetës së tij, por që mesazhin e ka të qartë.

Gjithçka e ka një fund, shprehet baca Ramë, por që shpreson që vëmendja e njerëzve të kthehet edhe te traditat shqiptare dhe te zanatet që kanë nisur nga të parët tanë para shumë e shumë kohësh. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart