36-vjeçari nga Ferizaj tregon për tmerrin që përjetoi në incidentin në aeroplan


Gazeta Express
17 Qershor 2019 11:20

Enver Hoxha, 36 vjeç nga Ferizaj, i cili jeton në kantonin Bernë, së bashku me dy motrat dhe dhëndrin vetëm një ditë më parë kishin shkuar në Kosovë për një rast vdekjeje familjare.

Derisa po ktheheshin për në Zvicër, për pak sa i shpëtuan një fatkeqësie tragjike. Ata ishin dëshmitarë të tmerrit që përjetuan të dielën në mbrëmje 121 udhëtarë në aeroplanin Boeing i kompanisë AKL Airlanes që po fluturonte nga Prishtina për në Basel.

Nga turbulencat që ndodhën rreth gjysmë ore para uljes së aeroplanit në aeroportin e Bazelit, mbi dhjetë udhëtarë janë dërguar në spitalin e këtij qyteti.

Enver Hoxha rrëfen për “Albinfo.ch” në detaje rastin që ndodhi në aeroplan: “Kemi lindur për të dytën herë”, thotë ai. “Kanë qenë momente kur e sheh vdekjen me sy. Kishte burra, gra dhe fëmijë. Frika na kishte kapluar të gjithëve. Kishte bërtitma të njerëzve dhe të qara”, shpjegon ai për “Albinfo.ch”.

Enveri tregoi se aeroplani kishte turbulenca të mëdha. Janë thyer mbrojtëset e karrigeve dhe shumë pasagjerëve iu janë këputur rripat e sigurisë. “Një grua është dëmtuar shumë në kokë dhe ka pas gjakderdhje, ndërsa një pasagjer që ishte ulur afër meje pasi i është këputur rripi i sigurisë ka fluturuar afër një metër”, tregon ai, duke shtuar se turbulencat kanë zgjatur vetëm disa minuta, por frika te njerëzit ishte e madhe derisa ata zbritën në tokë.

Ekuipazhi i aeroplanit, thotë ai, gjatë tërë kohës ka biseduar dhe janë munduar t’u dalin në ndihmë dhe t’i qetësojnë udhëtarët. Më të zbritur në Bazel kanë qenë të pranishëm ambulanca dhe zjarrfikës të shumtë. “Fatmirësisht ne nuk kemi pasë nevojë për trajtime mjekësore, por ata që ishin të lënduar, janë dërguar menjëherë për në spitalin e Bazelit”, shton tutje ai.

Ndonëse ende nuk iu është larguar paniku, Enveri shprehet se do të udhëtojë sërish me aeroplan për në Kosovë. “Do të udhëtoj edhe me aeroplan dhe me çdo mjet tjetër sa herë që të më merr malli për Kosovë”.

Te fundit


Kthehu lart