Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, në një përgjigje për Gazetën Express ka dhënë detaje rreth rastit të rëndë që ka ndodhur pasditen e se premtes në një ndërtesë në rrugën B në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.
Ahmeti ka treguar se informacionet e para për dy persona të lënduar i kanë marrë në orën 15:00 dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e rastit, duke ftuar edhe mjekët emergjentë në vendngjarje.
Ahmeti ka thënë se pas arritjes në vendin e ngjarjes, mjekët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull 34 vjeç, dhe një femër e moshës 30 vjeçare e lënduar është dërguar për tretman mjekësor, raporton Gazeta Express.
“Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Sipas burimeve të Express brenda hetuesisë, 34 vjeçari pasi kishte lënduar të dashurën e tij me thikë, e kishte goditur edhe veten dhe ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra./Express/