21 vjet nga masakra e Reçakut, kërkohet drejtësi për të vrarët - Gazeta Express
string(61) "21-vjet-nga-masakra-e-recakut-kerkohet-drejtesi-per-te-vraret"

Gazeta Express

16/01/2020 9:10

21 vjet nga masakra e Reçakut, kërkohet drejtësi për të vrarët

Gazeta Express

16/01/2020 9:10

Në përvjetorin e masakrës së Reçakut është kërkuar drejtësi për të gjithë të vrarët. Krerë të shtetit kanë akuzuar ndërkombëtarët për heshtjen e kësaj masakre.

Dje janë bërë 21 vjet nga masakra e Reçakut, në të cilën u vranë barbarisht 44 persona të paarmatosur. Në këtë përvjetor të masakrës krerë të shtetit të Kosovës e të Shqipërisë, anëtarë të subjekteve politike e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe para familjarëve të të vrarëve. Në këtë 21-vjetor të masakrës homazhe bëri edhe ish-shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker. Ai me këtë rast ka thënë se sa herë që e viziton Reçakun kujton vitin 1999, kur për herë të parë kishte vizituar këtë vend. Walker është shprehur i kënaqur me mënyrën se si po trajtohet në Reçak sa herë që vjen. “Qytetarët e Kosovës duhet ta kujtojnë këtë masakër. Sa herë vij këtu unë kujtoj vitin 1999. Jam shumë i kënaqur se çdo vit më shumë njerëz nga Kosova vijnë të shohin se çfarë është Reçaku. Jam i familjarizuar me masakrën e Reçakut, por ka pasur edhe dhjetëra e qindra masakra të tjera e shpresoj që populli i Kosovës t’i kujtojë ato masakra, ashtu siç e kujtojnë masakrën e Reçakut, ajo se çfarë ndodhi këtu dhe ajo se çfarë ndodhi me krimet e tjera të luftës nëpër Kosovë”, është shprehur ai, shkruan sot gazeta Zëri

Lexo Edhe:

Thaçi: Drejtësia ndërkombëtare ka heshtur

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta kanë bërë ditën e djeshme homazhe në Reçak, ku edhe kanë ngushëlluar familjarët e të vrarëve. Presidenti Thaçi ka thënë para medieve se masakra e Reçakut ka qenë krim kundër njerëzimit. Sipas tij, kjo masakër ka sensibilizuar ndërkombëtarët për të parë se Serbia po kryente gjenocid në Kosovë. “Serbia ka bërë spastrim etnik. Masakra e Reçakut është krim kundër njerëzimit, i cili nënkupton edhe gjenocid. Kjo masakër sensibilizoi opinioni ndërkombëtar për të parë qartas se Serbia po kryente gjenocid në Kosovë. Tendenca e fshehjes së kësaj masakre është sjellje e mentalitetit të Millosheviqit”, ka thënë ai.

Thaçi është shprehur i revoltuar, për shkak se drejtësia ndërkombëtare ka heshtur ndaj krimeve që ka bërë Serbia në Kosovë. “Duhet ta shpreh revoltën time si president që drejtësia ndërkombëtare duke mos ia prishur qejfin Serbisë ka heshtur. Ajo ka heshtur në dhunimin e 20 mijë grave shqiptare dhe në dëbimin e 800 mijë shqiptarëve. Nuk ka njeri në botë që e mohon këtë masakër dhe 400 makra të tjera”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë para medieve se ka qenë përgjegjësi për të të marrë pjesë në këto homazhe e të përkulet para fëmijëve e të rriturve që janë vrarë.

Masakra e Reçakut tronditi gjithë Kosovën, kërkohet drejtësi

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po ashtu dje bëri homazhe te varrezat në Reçak, me ç’rast tha se masakra e Reçakut ka tronditur gjithë Kosovën. Ai ka thënë se 21 vjet pas ende nuk ka drejtësi për viktimat në Kosovë. “Lajmi për masakrën e Reçakut e tronditi dhe e tmerroi Kosovën, por e ndërgjegjësoi dhe e alarmoi botën demokratike e diplomacinë ndërkombëtare. Masakra e Reçakut ishte vendimtare që NATO-ja ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviqit. 21 vjet më vonë nuk ka drejtësi për viktimat dhe për familjet e kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se duhet të bashkëndiehet çdo ditë me të kaluarën historike të Kosovës e jo vetëm në ditën e përvjetorit të masakrës. “Dua të shpreh konsideratë dhe përkulje për dëshmorët e martirët e kombit, për dëshmorët e martirët e Reçakut. Ne duhet të jemi të kujdesshëm me të kaluarën tonë, të bashkëndiejmë të gjithë strukturat shoqërore, shkencore, kulturore, politike të këtij vendi, të bashkëndiejmë jo vetëm në ditë, në vit, por të bashkëndiejmë çdo ditë”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zëri i familjarëve duhet të dëgjohet anembanë botës dhe se duhet të vihet drejtësia në vend. “Kjo masakër ka dëshmuar gjenocidin që është bërë. Zëri i familjeve duhet të dëgjohet anembanë botës. Shpresoj të jetë e qartë që parakusht për paqe në rajon është drejtësia. Do ta kërkojmë këtë. Plagët e thella duhet të shërohen me drejtësi”, është shprehur ajo.

15 janari, ditë e rëndë për Kosovën

Me një minutë heshtje ka filluar akademia përkujtimore për të rënët e masakrës së Reçakut. Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka deklaruar se 15 janari kishte qenë një ditë e rëndë për Kosovën. Ai ka theksuar se në përvjetorin e masakrës peshën e dhimbjes po e shton edhe mohimi i masakrës, që po bëhet nga ana e Serbisë. “I njëjti shtet me të njëjtën udhëheqje e me të njëjtin mentalitet masakroi në Reçak 40 persona dhe nuk kurseu as fëmijë e pleq. U vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Për fatin tonë për ta parë krejt këtë masakër në vendngjarje ishte ambasadori Walker. Ne kërkojmë nga ndërkombëtarët që të shtojnë presionin mbi Serbinë, që t’i dorëzojë para drejtësisë kriminelët, të cilët lirshëm shëtisin nëpër botë”, ka thënë ai.

Ndërsa presidenti Hashim Thaçi, i cili ishte i pranishëm në akademi, ka deklaruar se masakra e Reçakut ka qenë një nga krimet më të shëmtuara nga shteti serb.

Kosovarë nga Amerika vijnë për të bërë homazhe në Reçak

Për të bërë homazhe për të rënët në Reçak Sabedin Gashi kishte ardhur nga Amerika bashkë me familjarët e tij. Ai ka thënë për “Zërin” se çdoherë vizitojnë Reçakun dhe se gjithmonë mbështesin familjarët e dëshmorëve. “Jemi këtu në bazë të mundësive, sepse jemi edhe pak larg, por çdoherë në Reçak e në Prekaz jemi pranë familjeve të dëshmorëve. Ne mundohemi të sjellim një porosi për të gjithë qytetarët që të jemi sa më afër njëri-tjetrit. Prej dëshmorëve kemi këtë liri sot”, ka thënë ai.

Ndërsa edhe Isuf Ahmeti nga Fushë Kosova bashkë me shokun e tij nga Ferizaj kanë bërë homazhe në Reçak. Ai ka thënë për gazetën se Kosova ka ende të pagjetur, andaj edhe duhet të punohet në këtë drejtim. “Nuk është bërë ende zbardhja e masakrës. Kemi shumë të pagjetur në Kosovë. Qeveria e Kosovës pak ka punuar në këtë drejtim. Duhet më shumë t’i bëhet trysni faktorit ndërkombëtar e të bëhet zbardhja e të pagjeturve”, është shprehur ai.