200 mijë armë në duar të kosovarëve, veç 500 aplikacione për legalizim në MPB


Gazeta Express
21 Mars 2019 15:37

Kanë mbetur edhe 3 muaj afat deri kur qytetarët do të mundë t’i legalizojnë armët e tyre. Nga 200 mijë armë ilegale që ka Kosova, vetëm 500 aplikacione janë dërguar për legalizim. Zv.ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë për Express se numri i madh i armëve pa leje në Kosovë, vjen nga mungesa e besueshmërisë në institucione dhe raportet e tensionuara Kosovë – Serbi.

Festim Gërguri

Të gjithë ata që posedojnë armë pa leje që nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar e deri në qershor të këtij viti, kanë mundësi t’i legalizojnë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar një vendim për legalizimin e armëve. Vendimi vlen prej datës 17 dhjetor 2018 deri më 17 qershor 2019.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh edhe koordinator Nacional për Armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka ka bërë të ditur për Gazetën Express se fakti që numri i armëve ilegale është diku rreth 200,000 përbën rrezik për sigurinë e qytetarëve.

“Aktualisht janë adresuar në MPB mbi 500 aplikacione për legalizim të armëve, por deri në përfundimin e kësaj kampanje supozohet që të legalizohen rreth 1300 deri në 1400 armë”, ka shtuar Zeka. “Dëshira ime është që të legalizohen 200,000 armë pa leje, por edhe sikur të legalizohet vetëm një, kjo është në interes të sigurisë së qytetarëve”, ka theksuar Zeka.

Ai ka thënë se mungesa e besueshmërisë te institucionet e shtetit, lufta e fundit dhe raportet e tensionuara Kosovë – Serbi, janë akterët kryesorë pse në popull ekziston ky numër i armëve.

Si kritere të legalizimit të armëve bazuar në ligj janë: Arma duhet t’i përket kategorisë së lejuar për legalizim A2 dhe A16 me qëllim të çaktivizimit B, C dhe D për qëllime të parapara me ligjin për armë, kurse si proces praktik vijon: qytetari duhet të shkoj në stacionin më të afërt policor dhe të deklaroj posedimin e armës ilegale, me atë rast qytetari e mbush një formular dhe e pranon një librezën e cila i shërben për transportimin e po asaj arme në kompaninë e licencuar për riparim, tregtim, çaktivizim dhe prodhim të armëve dhe kompania e ka për detyrë të përcaktoj armës se a i plotëson kushtet teknike për legalizim.

Policia gjatë vitit 2018 përkohësisht ka ndaluar 4,231 persona, për shkak të dyshimeve në përfshirje në akte kriminale.

Po ashtu, Policia për Gazetën Express kanë bërë të ditur se ka arrestuar 15,481 persona të dyshuar për vepra te ndryshme penale, të cilët në bashkëpunim me autoritet përkatëse, janë dërguar në procedura të mëtejme.

Në operacione të ndryshme të ndërmarra, gjatë realizimit të kontrolleve Policia ka konfiskuar 1,473 armë zjarri të llojeve të ndryshme, po ashtu ka konfiskuar 23,941 copë municion të kalibrave të ndryshëm.

Vetëm në raportin e fundit 24 orësh të Policisë së Kosovës, policia ka ndërhyrë në 13 raste për armëmbajtje pa leje.

 Kështu ndodhë çdo ditë në secilin raport që e dërgon Policia për mediat, ku shihen se ka dhjetëra raste të arrestimeve e të sekuestrimeve të armëve pa leje.

Ndërsa sa i përket shkeljes ligjore, kushdo me akuzën për pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, mund dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart