20 milionë euro vetëm për këshilltarë të projektit “Kosova e Re”


Gazeta Express
15 Maj 2019 13:02

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të kampanjës, “mosthujsekamdite”, njoftojnë opinionin e gjerë për shumën e mjeteve të shpenzuara, deri më tani, vetëm për këshilltarë të projektit “Kosova e Re”.

Këtë muaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka shpallur tender me vlerë referenciale prej 4 milionë euro për blerjen e shërbimeve të konsulencës për projektin e “Kosova e Re”.

Me këtë tender, shpenzimet për këshilltarë të projektit “Kosova e Re” do të arrijnë mbi 20 milionë euro.

Në vitin 2006, Banka Botërore për herë të parë ka angazhuar këshilltarë të transaksionit, ku deri më 2011 u shpenzuan 16,4 milionë dollarë (12 milionë euro, sipas mesatares së këmbimit të valutës për periudhën 2006-2011), prej të cilave 5,5 milionë dollarë (4 milionë euro) janë mbuluar nga Buxheti i Kosovës.

Në vitin 2011, Qeveria e Kosovës mori përsipër që të angazhojë kompani konsulente për projektin ‘Kosova e Re’, ku u shpenzuan edhe 3.9 milionë euro.

Nga viti 2012 deri 2015, përmes disa kontratave për shërbime, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka angazhuar tre menaxherë të ndryshëm të projektit së bashku me staf mbështetës për një vlerë të përafërt prej 200 mijë eurosh.

Për më tepër, individë të cilët janë angazhuar nga Qeveria e Kosovës për të menaxhuar projektin “Kosova e Re”, tani shërbejnë si punonjës të investitorit privat (ContourGlobal) të përzgjedhur për të investuar në këtë projekt.

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ditë më parë, bënë thirrje që të anulohet tenderi prej 4 milionë eurosh për shërbimet e konsulencës për projektin “Kosova e Re”.

Gjithashtu, organizatat e lartshënuara të shoqërisë civile, kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të Kosovës nga kontrata për ndërtimin e këtij termocentrali ngase kjo kontratë vendos një barrë të padurueshme mbi buxhetin e shtetit.

Te fundit


Kthehu lart