20 kilogramë drogë, armë, vetura e para, policia arreston pesë persona në Prishtinë - Gazeta Express
string(81) "20-kilograme-droge-arme-vetura-e-para-policia-arreston-pese-persona-ne-prishtine1"

Gazeta Express

15/07/2020 12:39

20 kilogramë drogë, armë, vetura e para, policia arreston pesë persona në Prishtinë

Gazeta Express

15/07/2020 12:39

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar, për posedim dhe shitje të paautorizuar të armëve dhe narkotikëve. Janë kontrolluar disa lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe konfiskuar substanca narkotike, fishekë e armë, para të gatshme, tre telefona e tri vetura, raporton Express

Rasti ka ndodhur të martën në Prishtinë, ndërkaq policia ka njoftuar se lidhur me këtë rast, janë kryer hetime intensive për dy muaj.

Lexo Edhe:

“Policia e Kosovës pas pranimit të informatave në lidhje me rastet e lartëcekura, ka zhvilluar një hetim intensiv dy mujor, me ç’rast me datë 14.07.2020 në Prishtinë ka realizuar një operacion policor gjatë të cilit njësia e Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotik (DHTN) – Prishtinë, ka ndaluar tri vetura të dyshuara në të cilat janë hasur personat e dyshuar si në vijim: B.  D.  M/Kosovar, A. D.  M/Kosovar, A. Sh.  M/Kosovar, A. B. M/Kosovar, R. I. M/Kosovar”, bëhet e ditur në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit të personave të dyshuar, policia ka gjetur rreth 14 kilogramë Marihuanë.

“Gjatë realizimit të kontrollimit të personave dhe veturave të dyshuara, në një nga veturat e ndaluara është gjetur një sasi e narkotikëve të llojit “Marihuanë” me peshë të përgjithshme prej 13 kg e 800 gramë, së bashku me mbështjellës”, njofton policia.

Policia ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit, janë kontrolluar edhe disa lokacione tjera, ku është gjetur një sasi e substancave narkotike, armë zjarri, fishekë dhe para të gatshme.

“Gjatë realizimit të këtij kontrolli tek të dyshuarit janë gjetur: 5 paketime me substancë narkotike të llojit Marihuanë me peshë të përgjithshme prej 6kg e 206gramë. 3 peshore elektronike, qese për paketim të substancës narkotike, folje alumini, një palë doreza, një armë zjarri, një karikator, tre fishekë, 11 paketime dhe një cigare të mbushura me substancë të llojit Marihuanë me peshë 25.1gramë, 7540 (shtatëmijë e pesëqind e dyzet) euro”, bën të ditur policia.

Sipas njoftimit të policisë, vlera e përgjithshme e substancave narkotike që janë gjetur dhe konfiskuar te të dyshuarit arrin në 20 kilogramë.

Po ashtu, është bërë e ditur se janë konfiskuar tre telefona dhe tri vetura.

“Pesha e përgjithshme e sasisë së konfiskuar të substancës narkotike arrin në 20kg e 31.1gram, ndërsa përveç gjësendeve të cekura më lartë, po ashtu është bërë edhe konfiskimi i pesë telefonave celularë dhe tri veturave të përfshira në rast si prova materiale që ndërlidhen me rastin”, thuhet në deklaratën e policisë.

Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të tyre dhe me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në qendër të mbajtjes. /GazetaExpress/